Tiranë, 16 prill, NOA - Figura e një prej personaliteteve më të shquara botërore, humanistes së madhe Nënë Tereza është prezantuar sot në ekspozitën e piktorit Gjovalin Paci, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Nën kujdesin e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, ekspozita e titulluar "Nënë Tereza midis qiellores dhe tokësores" është pjesë e veprimtarive, që Kuvendi po organizon në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.
Topalli në hapje të ekspozitës, tha se nuk njeh personalitet tjetër të shekullit XX, më të admiruar se Nënë Tereza.
Duke vlerësuar punimet ekspozitës, Topalli u shpreh se "në portretet e Pacit, shihet shpirti i madh i humanistes Nënë Tereza, që simbolizon karakterin e fortë të genit shqiptar".
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe një koçidencën ku zhvillohej ceremonia e hapjes së ekspozitës. "Ajo që është më e veçanta në këtë aktivitet është salla, në të cilën bëhet. Është salla ku u mor vendimi që Nënë Tereza të mos lejohej të vinte në Shqipëri dhe është salla, ku u mor vendimi që të mos përmendej emri i Nënë Terezës", u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Piktori i njohur Gojvalin Paci, me një mjeshtëri unike sjell figurën e Nënë Terezës në gjininë e portretit në 80 punime, në teknikat akrilikut, mix, akuarelë dhe kompozime në telajo.
Të pranishëm në ekspozitë kanë qenë emra të njohur të botës së artit dhe kulturës, përfaqësues të trupit diplomatik, dhe intelektualë të tjerë.
m.xh/NOA