Tiranë, 16 prill, NOA - Hiri vullkanik që po përhapet nga Islanda me shpejtësi në qiejt e Evropës, duket se po ndikon edhe trafikun ajror në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Kështu, në aeroportin e Shkupit ndërkohë disa kompani kanë anuluar fluturimet e parashikuara të tyre për linja në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, ndërsa do të jetë i funksionueshëm vetëm për linjat që shkojnë në Vjenë, Lubljanë, Zagreb apo Stamboll.
Nga ana tjetër, edhe Greqia duket se po përballet me të njëjtin problem, ku në aeroportin e Athinës "Eleftherios Venizellos" ka pasur vonesa të shumta, ndryshime oraresh dhe destinacionesh, si dhe 47 fluturime të anuluara me destinacione shumë shtete europiane.
Konkretisht, janë anuluar fluturimet drejt Londrës, Parisit, Amsterdamit, Frankfurtit, Mançesterit, Brukselit, Kopenhagenit, Varshavës dhe Dyseldorfit.
Ndërsa në vendin tonë, drejtuesit e aeroportit "Nënë Tereza" në Tiranë njoftuan se janë pezulluar përkohësisht fluturimet nga kryeqyteti shqiptar drejt Londrës dhe Budapestit.
Për pasojë ata që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, si edhe në rastet kur kalojnë tranzit përmes tyre, do të jenë të detyruar të presin njoftime të tjera.
n.e/NOA