Prishtinë, 16 prill, NOA - Partia e dytë më e madhe në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, në një dokument të brendshëm të saj i cili pritet të diskutohet në fillim të javës së ardhshme nga udhëheqja e partisë, kërkon përgjegjësi nga një numër zyrtarësh partiakë në nivel lokal, për dështimet në zgjedhje dhe siç thuhet "mosrespektim të vendimeve të kryesisë qendrore të partisë".
Duket se kjo forcë politike kosovare po kërkon mënyra për reformim të brendshëm pas rezultateve jo të mira në zgjedhjet komunale të nëntorit të vitit të kaluar.
Në analizën e brendshme të partisë thuhet se LDK-ja ka arritur që në nivel komunash të shtojë numrin e përfaqësuesve, ndërkohë që thuhet se humbësi më i madh i vendeve në kuvendet komunale, në tërësi është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nga ana tjetër, në dokumentin e lartpëmendur kërkohen masa ndëshkuese për të gjitha degët e LDK-së që, siç vlerësohet, kanë qenë jobashkëpunuese në proceset zgjedhore.
Ky dokument, bën përgjegjës një numër zyrtarësh të partisë në disa degë të saj, posaçërisht në Gjakovë, Vushtrri, Mitrovicë, Suharekë, Klinë dhe Viti, për rezultatet e dobëta në zgjedhje.
Ata kritikohen gjithashtu se nuk zbatuan rekomandimet e kryesisë qendrore për të mos lidhur asnjë koalicion zgjedhor me PDK-në e kryeministrit, Hashim Thaçi, në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale.
n.e/NOA