Paris, 16 prill, NOA /Milena Selimi - As do t'i shkonte ndërmend ndonjëherë se kjo monodramë duket se ishte shkruar për të dhe së fundi, me pak fjalë, Mirush Kabashi vlerësohet për "Apologjinë e Sokratit" e në Paris, sipas burimeve të MKRS. Shfaqja është dhënë në një ndër teatrot prestigjiozë të Parisit, me nismën e teatrit "La Palace" dhe shoqatës "Shtëpia e shqiptarëve".
Kanë qenë të pranishëm jo vetëm nga shqiptarë me banim në Francë, por edhe nga personalitete franceze apo Ambasadorë e përfaqësues të lartë të vendeve evropiane e të rajonit.
Përshëndetjet e rastit janë bërë nga aktori i shquar me origjinë shqiptare Halil Vardar si dhe ambasadori shqiptar, Ylljet Aliçkaj.
Më vonë, të pranishmit ndoqën monodramën e interpretuar nga "Mjeshtri i Madh" Mirush Kabashi, vënë në skenë prej tij në vitin 1997 dhe vlerësuar me tituj nderi në disa Festivale ndërkombëtare.
Në një deklaratë është thënë se ai ka marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta në përfundim të shfaqjes së monodramës "Apologjia e vërtetë e Sokratit" në teatrin "La Palace" të Parisit, në fillimin e kësaj jave. "Një aktor i magjishëm dhe i mahnitshëm! Shqipëria nuk ka pse të ketë zili kërrkënd në fushën e aktrimit! Patëm përballë një gjigandi skene të kalibrit botëror!", kanë qenë disa nga konsideratat e para të personaliteteve të kulturës dhe artit francez menjëherë pas shfaqjes së organizuar në kuadrin e 40-vjetorit të Frankofonisë me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Paris.
m.s/ NOA