Tiranë, 16 prill, NOA - Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar dhe Entit Kombëtar i Aviacionit Civil Italian nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit, duke synuar rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe shkëmbimin e eksperiencës.
Qëllimi i këtij Memorandumi është të thellojë dhënien e asistencës teknike Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, nëpërmjet hartimit dhe respektimit të një plani mbikëqyrës së operimeve dhe funksionimit të Operatorëve Komercialë Ajrorë Shqiptarë dhe atyre të huaj.
Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, Alessio Quaranta.
"Metodologjia që do të përdoret gjatë zhvillimit në praktikë të këtij plani do të jetë e bazuar në standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, ICAO, Agjencisë Europiane të Sigurisë Ajrore, EASA, rregulloreve të operimit dhe funksionimit të Operatorëve Ajrorë të Bashkimit Europian si dhe në bazë të praktikave më të mira të Entit të Aviacionit Civil Italian, ENAC", u shpreh Mazniku
Përfaqësuesi i aviacionit italian, Alessio Quranta vlerësoi se nënshkrimi i këtij memorandumi është një shenjë tjetër e thellimit të miqësisë mes dy popujve.
"E shoh dhe si një sfidë për vetë Aviacionin Civil Italian pasi është hera e parë që një ENAC përfshihet në një marrëdhënie të tillë ndër-institucionale, nga ana tjetër duke vlerësuar përkushtimin dhe vullnetin e palëve në këtë marrëdhënie, jemi të sigurt për suksesin e saj", tha ai.
m.xh/NOA