English

Taksitë, të licencuarit: Shteti të na sigurojë taksimetrat

Tiranë, 16 prill NOA /Blerina Ahmetaj - Përveç informalitetit me të cilin ndeshen përditë, shërbimi taksi në kryeqytet has vështirësi dhe për të përmbushur një prej detyrimeve që shteti i ka caktuar, pajisjen me taksimetër dhe kjo për faktin e thjeshtë se ai sigurohet me rrugë private.

Kryetari i shoqatës kombëtare të taksive, Shpëtim Gjoni thotë se shumë prej drejtuesve të taksive vuajnë për të siguruar taksimetrin, por dhe në rastet kur sigurohet ai nuk është I sigurt përsa i takon matjes së kilometrave që përshkon automjeti.

"Ne duam që pajisja e mjeteve tona të bëhet në rrugë shtetërore pasi kështu heqim një peshë e cila përveçse na penalizon nga policia rrugore por dhe na siguron se tarifat që do të kërkojmë te klienti janë të bazuara dhe të kontrolluara", thotë Gjoni.

Deri më sot, drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është mjaftuar vetëm me thirrjen që u ka bërë taksistëve për t'u pajisur me taksimetër.

Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, subjektet e licencuara për shërbimin taksi, që do të pajisen me taksimetër, duhet të sigurojnë dhe montojnë në automjetin e tyre aparatin përkatës, i cili plotëson kërkesat teknike-metrologjike ligjore.

"Taksimetrat që do të vendosen në automjetet taksi të licencuara për shërbim në qytetin e Tiranës duhet që gjatë instalimit të taksimetrit të vendosin në memorien e taksimetrit tarifat", shprehen burimet e mësipërme.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, pas instalimit dhe vendosjes së tarifave në memorien e taksimetrit, duhet kryer vulosja dhe subjektit të shërbimit taksi t'i lëshohet dokumentacioni përkatës, përfshirë dhe kartelën e taksimetrit të plotësuar rregullisht në të gjitha zërat e saj.

Të njëjtat burime bënë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nuk do të pranojë për verifikim asnjë taksimetër që nuk ka të regjistruara në memorie tarifat e miratuara.

Por ndërsa rregulloret shkruhen ata që do ta vuajnë këtë ngërç janë qytetarët, klientë të shërbimit taksi, të cilët nuk do të jenë të sigurt për paratë që duhet të paguajnë.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur tarifat e reja për shërbimin taksi.

Me tarifat e reja të sugjeruara nga Bashkia e Tiranës, pasagjerët do të kenë një pagesë fillestare ku nuk do t'u matet koha dhe kjo për dy kilometrat e parë është 250 lekë për taksitë dhe 400 lekë për furgonët.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE