Zakinthos, 16 Prill NOA - Një emigrant shqiptar ka mbetur i vrarë pasi u qëllua me armë zjarri në kokë dhe trupi i tij u gjet nga kalimtarë të rastësishëm në orët e para të ditës, njofton korrespondenti i agjencisë NOA.
Viktima është C.J., 39 vjeç, shtetas shqiptar me banim prej afro tetë vjetësh në Greqi, i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare nga Policia greke në Zakintho.
Nga hetimet e para policia raporton për një vrasje të ardhur nga një larje hesapesh mes shqiptarësh kurse kanë nisur kërkimet për gjetjen e autorit ose autorëve.
Policia tha se autori e kishte menduar mirë planin e tij të vrasjes dhe nisur nga hetimet e kryera dhe rindërtimi i skenës së krimit, arriti në rezultatin se C.J. ka mbetur viktimë i një atentati të pastër duke marrë dy plumba në kokë.
Sikundër shihni në dy fotot e vendngjarjes, trupi i 39-vjeçarit u gjet shumë pranë gjimnazit shtetëror në një nga rrugët kryesore të Lithakiasë në Pirgos të ishullit Zakinthos. Ishte një grua, shtetase greke e cila ndali makinën kur pa në mes të rrugës një trup mashkulli të rrethuar nga pellg gjaku.
Policia kur mbërriti në vendngjarje konstatoi se i ndjeri kishte gjetur vdekjen pasi kishte marrë nga distancë e afërt dy plumba në kokë, ku njëri prej tyre i kishte dëmtuar dhe njërin sy.
Pranë të ndjerit u gjetën dy celularë të cilët u sekuestruan nga policia për të mundësuar zbardhjen e pistave të krimit.
Shefi i Policisë së Zakinthos, Vasilis Karajanis, tha se për 39-vjeçarin C.J ekzistonte dosje penale pasi pak vite më parë, më 2007ai ishte hetuar për vjedhje dhe falsifikim të dokumentit të identifikimit. Por viktima, shtatlartë dhe trupmadh, ishte hetuar edhe për dyshimet e përfshirjes në trafik lëndësh narkotike.
Kryepolici Karajanis tha edhe se në minutat para ngjarjes, i ndjeri ka pasur disa telefonata por nuk është e qartë nëse lidhen me krimin që pësoi. Kurse nënvizoi faktin se viktima ishte shfaqur në zonën e Lithakiasë vetëm ditët e fundit.
Shefi i policisë nënvizoi edhe faktin se viktima është vrarë me një armë gjahu, pushkë me fishekë të kalibrit të lartë çka i kishin sjellë veç vdekjes edhe dëmtime të jashtme të theksuara në pjesën e kokës dhe fytyrës.
n.s/e.r/NOA