Nga Adam Lebor Është ironi e errët që, ndërsa ndaj Radovan Karaxhiqit, ish-udhëheqës i serbëve të Bosnjës, ka nisur shqyrtimi i dëshmitarëve në gjyqin e tij për krime lufte dhe gjenocid në Hagë, armiku i tij, ish-presidenti i Bosnjës, Ejup Ganiq, mund të duket së shpejti në gjykatën serbe për t'u përballur me akuzat për krime lufte. Ganiq është arrestuar muajin e kaluar në aeroportin e Hethrout të Londrës dhe tash është liruar, por me kushte strikte. Ai është njëri prej 19 zyrtarëve në Bosnjë, të kërkuar nga Serbia, që kanë lidhje me një sulm ndaj një grupi ushtarësh të armatosur jugosllavë, në maj të vitit 1992, në kryeqytetin e rrethuar të Sarajevës, ku disa dhjetëra ushtarë mbetën të vrarë.
Por, Ganiq është i acaruar dhe akuzon Qeverinë britanike në rishkrimin e historisë dhe në sjelljen e saj si një polic i regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Duke lënë mënjanë të drejtat dhe gabimet e rastit të Ganiqit, ai sigurisht është i saktë kur thotë se Britania ka rishkruar historinë e Ballkanit dhe e ka bërë këtë për dhjetëvjeçarë. Serbofilia është e rrënjosur thellë në psikikën e Ministrisë së Jashtme dhe te shumica e së majtës britanike, gati për një shekull prapa. Në krye të shkallëve të Ministrisë së Jashtme është një pikturë e Zigizmund Goetzit, e quajtur "Britania Pacifikatriks", e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Aty tregohet Britania duke shtrënguar duart me SHBA-të, ndërsa mbronin Serbinë, Malin e Zi dhe Belgjikën. Në pjesën më të madhe, politika britanike, në fillim të viteve '90, dukej se ishte në mbrojtje të Serbisë. Pakica nën presion e zyrtarëve nga Ministria e Jashtme, të cilët favorizuan veprimet ushtarake për ta ndaluar sulmin e serbëve në Bosnjë, ishte vazhdimisht e kundërshtuar nga kryeministri Xhon Mejxhor, sekretari i mbrojtjes, Malkolm Rifkin, dhe sekretari i jashtëm, Daglas Hërd. Këta tre ministra dhe zyrtarët e tyre duket se e shikonin regjimin e Sllobodan Millosheviqit si trashëgimi e traditës partizane të Titos, kur në fakt ishte shkatërruesja e saj. Kjo pikëpamje për serbët trima, si vendi i vetëm në Ballkan që luftoi nazistët, është totalisht në kundërshtim me realitetin. Sigurisht, shumë serbë ishin të ashpër me nazistët dhe luftuan me guxim kundër fashizmit. Por, gjithashtu, mes tyre ishin edhe shumë sllovenë, myslimanë boshnjakë, hungarezë dhe kroatë, si për shembull presidenti i parë i Kroacisë, Franjo Tugjman, i cili ishte një nga të rinjtë e brezit të Titos. Edhe Tito ishte gjysmë kroat dhe gjysmë slloven. Dhe, shumë serbë bashkëpunuan me nazistët nën regjimin bashkëpunues të Millan Nediqit, në vendosjen e kampeve të përqendrimit, si në Sajmish, në Beograd, ku mijëra hebrenj u vranë në dhomat e gazit. Hërd, Mejxhor dhe gradat e tyre ishin avokatë të fuqishëm të embargos së armëve të OKB-së kundër Bosnjës, duke mohuar kombin e ri, madje dhe instrumentet për mbrojtjen e vetes. Sikurse më tha mua, Diego Arria, i cili ka shërbyer si ambasador në Venezuelë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë luftës në Bosnjë, "Britania e Madhe, e përfshirë në këtë proces plotësisht, ishte e vetmja me një pamje të qartë të asaj që ishte duke bërë. Kur boshnjakët refuzuan ta luanin rolin e viktimave pasive dhe kur rezistenca e tyre u rrit, britanikët dhe francezët u irrituan shumë". Megjithatë, të afërmit e atyre ushtarëve jugosllavë, të vrarë në Sarajevë më 1992, meritojnë drejtësi, po aq sa ata, të cilët vajtuan të dashurit e tyre të vrarë në Srebrenicë. Por, vetëm 161 akuza janë ngritur për krime lufte nga gjykata e OKB-së dhe shumica e autorëve vijojnë të jenë të lirë dhe ka të ngjarë që kurrë të mos merren në përgjegjësi. Kështu, Ejup Ganiq, që thotë se është arrestuar për shkaqe politike e jo ligjore, do të vijojë të gjejë një jehonë të gatshme në gjithë Bosnjën.
"Guardian" Foto: Piktura e Zigizmund Goetzit, ku tregohet Britania duke shtrënguar duart me SHBA-të, ndërsa mbronin Serbinë, Malin e Zi dhe Belgjikën