English

Lidhjet e paligjshme, Ujësjellësi penalizon 80 lavazhe në Tiranë

Tiranë, 17 prill NOA/ Blerina Ahmetaj - Ka nisur sot aksioni i përvitshëm i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ndaj prerjes së lidhjeve të paligjshme që kryejnë kryesisht lavazhet, ku 80 prej tyre janë penalizuar duke u hequr tubacionet e ujit, ndërprerë furnizimin dhe gjobitur. Kjo për shkak se kanë shfrytëzuar ujin e pijshëm për biznesin e tyre duke cënuar në këtë mënyrë furnizimin me ujë të pijshëm rregullisht të qytetarëve.

"Ndërprerja e lidhjeve te paligjshme dhe investimet që pritet të bëhen në prag të verës, do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me ujë të Tiranes gjatë stinës së thatë të verës", tha drejtori i shitjeve pranë Ujësjellësit, Ilirian Shkëmbi i cili kryesonte aksionin e sotëm.

Nga 200 lavazhe që punojnë në Tiranë, deri tani, ujësjellësi ka shkëputur nga rrjeti 80 prej tyre.

Pavarësisht vënies së gjobave, punonjësit e ujësjellësit deklarojnë se nga bizneset është tentuar ndërhyrja ne tubacionet e ujit.

Eliminimi i humbjeve në rrjet është një nga sfidat personale te drejtorit të ri Sahit Dollapi.

Madje ai ka premtuar përmirësim të dukshëm të furnizimit me ujë në Tirane, produkt qe nga 1 marsi kryeqytetasit e paguajnë me dyfishin e çmimit.

Çmimi i ri është 33 lekë për metër kub nga 20 që ka qenë deri tani.

Rritja e çmimit të ujit ka shkaktuar iritimin e banorëve. Qytetarët thonë se, me çmimet e reja ata nuk kanë mundësi ekonomike ta paguajnë ujin që prej disa vitesh u faturohet edhe më tepër nga ndërmarrja.

Por po ashtu në shumë zona të kryeqytetit edhe furnizimi me ujë nuk është i rregullt.

b.a/e.r/NOA

KOMENTE