English

Meta në Berat: LSI është gati për zgjedhje

Berat, 17 Prill NOA I plotë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste z. Ilir Meta deklaroi sot në Berat se kjo forcë politike që ai drejton është gati për zgjedhje, duke iu referuar atyre vendore, të pritshme për muajt në vazhdim. Në të njëjtën kohë, z.Meta akuzoi opozitën duke vlerësuar se ajo po e dëmton vendin ndërsa vlerësoi se LSI është garanci për qeverisjen e vendit dhe theksoi se "në këto 8 muaj qeverisje është bërë revolucion për integrimin e vendit".

I shoqëruar nga deputetet Nasip Naço, Lefter Koka dhe nga anëtari i Kryesisë Luan Rama, si dhe nga të tjerë drejtues të LSI-së, Meta zhvilloi sot një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Beratit. Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta gjatë fjalës së tij u ndal në procesin e integrimit të vendit duke theksuar se janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Ai vlerësoi dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Europian si një hap mjaft cilësorë, ndërsa ritheksoj punën e madhe që është bërë për liberalizimin e vizave duke u shprehur se heqja e tyre do të bëhet e mundur brenda këtij viti.

Në këtë mënyrë, z. Meta theksoi se LSI-ja do të mbajë dhe premtimin e bërë para qytetarëve shqiptarë.

"Tashmë edhe faktori ndërkombëtarë e ka vlerësuar këtë progres shumë të madh që Shqipëria ka bërë në të gjitha drejtimet e kërkuara nga Udhërrëfyesi i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave; që nga dokumentet e sigurisë, të cilat vlerësohen të standardeve nga më të lartat në Bashkimin Europian, që nga kontrolli i kufijve dhe menaxhimi i tyre, lufta kundër krimit të organizuar dhe në të gjitha aspektet është një punë e voluminoze, konkrete dhe është një punë e madhe që ka treguar qartë vullnetin e kësaj qeverie, por dhe vullnetin tonë si Lëvizje Socialiste për Integrim për të garantuar mbajtjen e atij premtimi madhor që i shërben çdo qytetari shqiptarë dhe çdo qytetari edhe banori të Beratit, që brenda këtij vitit të gjithë shqiptarët të fitojnë të drejtën të lëvizin pa viza në hapësirën Europiane", u shpreh z. Meta.

Ai vlerësoi se ky proces ka jo vetëm një aspekt konkrete për lëvizjen e lirë dhe ekonominë, por është dhe një çështje dinjiteti për qytetarët shqiptarë.

Duke theksuar dhe një herë rëndësinë që ka procesi i integrimit të vendit, kryetari i LSI-së, z. Meta e ftoi opozitën të mos bëhet pengesë e këtij procesi dhe të jap kontributin e saj në hapet e fundit që kanë mbetur drejt realizimit të këtij procesi.

"Ne punojmë për gjithë shqiptarët. Do të ishte në nderin e lidershipit të Partisë Socialiste që të mos i kundërvihej këtij procesi, të vinte dhe të jepte kontributin e saj në mënyrë konkrete, ashtu sikurse është në ndihmën e mirë që të heqin dorë nga përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit", u shpreh z. Meta.

Kryetari i LSI-së në fjalën e tij u ndal dhe në situatën politike duke vlerësuar se pretendimet e opozitës duhet të trajtohen në mënyrë kushtetuese.

Meta theksoi se mazhoranca është treguar tolerante duke i dhënë mundësi opozitës për kërkesat e saj, por opozita nga ana tjetër duhet të njoh dhe institucionet dhe vendimet e gjykatave.

"Duan të hapin kutitë, por për kutitë është marrë vendimi i gjykatës së zgjedhjeve. Në rast se ata duan të dalin mbi këtë vendim, le t'i drejtohen një gjykate që është mbi çdo gjykatë në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese. Duan që të interpretohet ky vendim, le ti drejtohen Komisionit të Venecias sepse është një institucion shumë prestigjiozë që na ka ndihmuar për të hartuar Kushtetutën me ekspertizë", u shpreh z. Meta.

Më tej kreu i LSI-së u shpreh se opozita nuk ka qëllim transparencën e zgjedhjeve, por krijimin e një krize artificiale për të ardhur më pas në pushtet pa vota dhe jo në mënyrë demokratike.

Z. Meta u ndal dhe në akuzat e PS-së për situatën ekonomike duke theksuar se arritjet e vendit në këtë pikë janë pozitive duke parë dhe zhvillimet rajonale dhe situatën kur bota gjendet në një krizë ekonomike.

Duke folur për procesin e riorganizimit të LSI-së, Kryetari i LSI-së, z. Meta u ndal në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke theksuar se me efiçencën e LSI-ë në qeverisje kjo forcë ka të drejtë të kërkojë dhe një mbështetje më të madhe nga qytetarët.

"Sfidat janë përpara, kemi zgjedhjet vendore. Në këtë drejtim unë do ju ftoja të gjithëve që të angazhohemi sepse nuk jemi shpejt për këtë sfidë", u shpreh z. Meta.

Takimi u fokusua në riorganizimin e LSI-së për zgjedhjet lokale dhe në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe kontributin që po jep Lëvizja Socialiste si pjesë e qeverisjes.

e.r/NOA

KOMENTE