English

PE, provim për Shqipërinë më 21 prill

Bruksel, 17 prill, NOA - Parlamenti Europian do të marrë në provim Shqipërinë më 21 prill dhe në ditët e para të majit, ku do të shqyrtohet situata politike në Shqipëri dhe pritet të jepet një vlerësim shtesë për zgjidhjen e situatës.

Më 21 prill në Strasburg do të mblidhet delegacioni i Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të nisë diskutimin e gjatë të situatës në Shqipëri dhe do të përgatisë takimin e parë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, që zhvillohet më 3 dhe 4 maj në Bruksel.

Në mbledhjen e 21 prillit, sipas axhendës, do të diskutohet dokumenti i paraqitur nga Komisioni i Zgjerimit, që drejtohet nga Stefan Fule, mocioni i reporterit grek, Nikolaos Chountis, si dhe përgatitja e takimit të 3 dhe 4 majit.

Në këtë takim, Shqipërinë do ta përfaqësojë ambasadorja e vendit tonë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, e cila bashkë me delegacionin do të adaptojnë draft-axhendën e mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.

NOA-INA

KOMENTE