Shkup, 17 Prill NOA - Qeveria e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë vendosi që të zvogëlojë participimin për studimet në fakultetet në kuadër të universiteteve shtetërore. Demokracia e Re vlerëson se ky vendim i Qeverisë do të vlejë vetëm për brucoshët që do të regjistrohen në vitin e ardhshëm akademik, dhe jo edhe për studentët të cilët kanë filluar studimet më herët, prandaj ky vendim i vendos ata në pozicion të diskriminuar.
Verona Emini, Anëtare e Sekretariatit të DR-së për Marrëdhënie me Publikun tha sot se Demokracia e Re pajtohet se me këtë vendim do t'iu mundësohet më shumë të rinjve të regjistrohet në fakultete dhe do të zvogëlohen harxhimet e tyre për studime, mirëpo në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm se vendimi i tillë duhet shoqëruar me rritjen e buxhetit të universiteteve shtetërore nga ana e buxhetit shtetëror që i njëjti drejtpërsëdrejti të ndikojë në mosdobësimin e kualitetit të studimeve.
"Rikujtojmë se Demokracia e Re reagoi ashpër ndaj zvogëlimit të buxhetit të Universitetit Shtetëror të Tetovës për vitin 2009 dhe 2010 duke alarmuar se mund të vijë deri te kolapsi i sistemit në këtë universitet. Me këtë vendim, Qeveria vetëm vërteton tendencën për të shkurtuar mjetet për financimin e arsimit të lartë në shtetin tonë", - tha Emini.
Nga ana tjetër, ajo tha se i bëjmë thirrje edhe një herë Qeverisë që në emër të arsimit dhe diturisë të shkurtojë nga buxheti i paraparë për projektin "Shkupi 2014", të shkurtojë mjetet nga bronza e kuajve, luanëve dhe përmendoreve tjera dhe këto mjete t'i destinojë për buxhetet e universiteteve, pasi që vetëm në këtë mënyrë do t'iu mundësojë të gjithë të rinjve të drejtën e arsimit të lartë me cilësi dhe standarde evropiane.
"Vetëm në këtë mënyrë Qeveria do të na bind se seriozisht qëndron pas parullës "Arsimi është forcë, arsimi është fuqi", - përfundoi Emini.