Tiranë, 17 prill NOA - Ministri kosovar i sapoemëruar i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi ka vizituar sot Tiranën ku ka takuar homologun e tij Petrit Vasili. Gjatë vizitës në ambientet e ministrisë, Bukoshi i ka kërkuar zyrtarëve të Tiranës bashkëpunim dhe ndihmë të mëtejshme në shkëmbimin e përvojave në fushën e shëndetësisë.
Nr.1 i shëndetësisë kosovare ka theksuar se të dyja vendet duhet të sinkronizohen më shumë në këtë fushë dhe për këtë duhet një intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat.
Ministri kosovar i Shëndetësisë, ka kujtuar dhe një herë ndihmën dhe gatishmërinë e treguar nga i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar gjatë periudhës së vështirë të eksodit kosovar.
Ndërsa ministri ynë i Shëndetësisë është shprehur i kënaqur pas takimit me ministrin Bukoshi.
"Me z. Bukoshi kemi biseduar për të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe gjetëm atë mirëkuptim që prisja", ka theksuar ministri Vasili.Të dy ministrat kanë biseduar për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e shëndetësisë, që do të konsistojnë në shkëmbimin e informacionit dhe specialistëve në fushën e shëndetit publik, teknologjisë dhe inovacionit, shkëmbime të specialistëve të klinikës si dhe në fushën e trajnimeve dhe specializimeve të përbashkëta.
Me ftesë të z. Bukoshi, ministri i shëndetësisë Petrit Vasili pritet të vizitojë Kosovën. Gjatë kësaj vizite pritet dhe finalizimi i marrëveshjes së re në fushën e shëndetësisë, bazuar në realitetet e reja dhe të ardhmen europiane të dy vendeve tona.
b.a/NOA