Tiranë, 18 prill, NOA - Internacionalja Socialiste, përmes një mesazhi të posaçëm të Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Luis Ayala, ka përshëndetur kongresin e sotëm të Partisë Socialiste, duke i pohuar kësaj force politike "mbështetjen e vendosur për kërkesat e njohjes së dhunimeve dhe parregullsive në zgjedhjet e 28 qershorit".
"Për ne të gjithë në Internacionalen Socialiste, është shumë e rëndësishme që parimet bazë të demokracisë të respektohen dhe ndajmë me ju nevojën urgjente për të garantuar që sistemi politik në Shqipëri të funksionojë mbi bazën e ndershmërisë dhe integritetit, parime të cilat populli shqiptar i meriton", shkruan në letrën e tij përshëndetëse Ayala.
Në pamundësi të mbërrijë në Shqipëri, për shkak të hirit vullkanik të Islandës që ka penguar fluturimet ajrore, Ayala ka theksuar përmes saj, se "inkurajon socialistët shqiptarë të vazhdojnë dhe të kapërcejnë pengesat që kanë përpara me të njëjtën frymë demokratike socialiste, durim dhe besim që kanë karakterizuar gjithmonë lëvizjen socialiste në momente përcaktuese".
"Asgjë më pak se një Shqipëri demokratike, një Shqipëri për të gjithë qytetarët e saj do të bëhet", përfundon mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala, dërguar kongresit të sotëm të Partisë Socialiste shqiptare.
n.e/NOA