Tiranë, 18 prill, NOA - Në një kohë kur administrata tatimore ka nisur një fushatë të ashpër gjobash ndaj bizneseve që nuk pajisen me kasa fiskale, qeveria ka ndryshuar sërish vendimin për këto aparatura duke shtuar paqartësinë tek tatimpaguesit.
Ata që e kanë vendosur këtë pajisje u duhet ta ndryshojnë përsëri atë. Përfaqësues të administratës tatimore thonë se në këtë proces biznesi që është pajisur një herë me kasë nuk ka detyrim të paguajë sërish.
Renald Rista, Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit në Drejtorinë e Tatimeve, thotë se biznesi ka detyrim që një herë në 6 muaj të kontrollojë kasën për elementet teknik. Gjatë këtij kontrolli rutinë kompania e autorizuar për kasat duhet të ndryshojë aparaturën, gjë që nuk shoqërohet me kosto shtesë për biznesin.
Aktualisht janë rreth 11 mijë biznese në të gjithë vendin që i kanë vënë kasat dhe tashmë duhet t'i zëvendësojnë ato. Por ndryshimi i përsëritur për kasat argumentohet si nevojë për të forcuar më tej elementet e sigurisë, në mbajtjen e të dhënave.
Rista sqaron më të tej, se kasat aktuale të instaluara linin vend për abuzime me të dhënat, ndaj doli si domosdoshmëri ndryshimi i vendimit të qeverisë.
Muaji qershor i këtij viti është afati i fundit që biznesi i vogël të pajiset me kasa fiskale. Përfundimi i këtij procesi do të evidentonte saktë xhiron reale të biznesit, e për rrjedhojë do të shmangte abuzivizmin e tatimeve në nxjerrjen e detyrimeve.
r.l/NOA