English

Rama: Berisha ka marrë peng vendin, beteja jonë për të ardhmen

Tiranë, 18 prill, NOA, Update - Beteja gati një vjeçare e Partisë Socialiste për votën e lirë është një betejë për të ardhmen e vendit. Me këto fjalë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u është drejtuar delegatëve në kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij kryetari i PS-së, Rama ka theksuar se "kryeministri ka marrë peng të ardhmen" dhe misioni i PS-së është demokratizimi i vendit. "Ne jemi në këtë betejë për të çliruar të ardhmen e vendit", u shpreh Rama.

Duke u ndalur në përpjekjet e PS-së për votën e lirë, Rama tha se socialistët duhet të jenë krenar për misionin e tyre, "për të mos e lënë të ardhmen peng të pushtetit".

Kryetari i PS-së u ndal dhe në protestën e 30 prillit, ku sipas tij, veç të drejtës legjitime për votën e lirë do të protestohet dhe për krizën ekonomike që ka kapur vendin.

Kreu i PS-së tha se selia rozë do të jetë e hapur për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e saj, duke përshëndetur dhe pjesëmarrjen në kongres të Pëllumb Xhufit, Mustafa Mucit, Sabit Brokaj, Fatos Klosit, si dhe ish-socialistëve që janë rikthyer në gjirin e saj.

Kreu i PS-së ka përdorur dhe një shprehje të Fan Nolit për qeverinë e sotme: "Nuk mund të lejojmë qe kryeministri i pykave të marrë peng të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë", u shpreh Rama.

m.xh/NOA

KOMENTE