Tiranë, 18 prill, NOA - Rreth 1300 arsimtarë pritet të largohen nga vendet e punës duke iu shtuar armatës së të papunëve në Shqipëri. Lajmi konfirmohet nga vetë burimet zyrtare, të cilat pranojnë se shkak janë reformat e nisura në fillim të vitit në sektorin e arsimit të cilat kanë bërë të shkurtohen vendet e punës.
Gjatë një analize të tregut të punës, që kanë kryer vetë strukturat e shërbimit kombëtar të punësimit, thuhet se shifra prej 1300 të papunë ka të bëjë me shkurtimet nga vendet e punës që do të vazhdojnë gjatë gjithë këtij viti si pasojë e reformave të nisura.
Por këto struktura ndjehen të qeta përsa i takon punësimit të tyre, pasi shpresojnë që sektori privat të thithë kontigjentin e të papunëve që shteti i ka flakur nga vendet e tyre të punës.
Sipas analizës së kryer, lista e të papunëve pritet të rritet me 7 mijë punëtorët e shkurtuar nga ndërmarrjet fasoniste kryesisht në jug të vendit.
Shërbimi kombëtar i punësimit ia hedh fajin krizës botërore financiare ndërsa deklaron se në qytetin e Korçës, numri i të punësuarve është ulur me 4 për qind në ndërmarrjet e fasoneve.
Edhe për këtë sektor, strukturat e shtetit janë të qeta pasi shpresojnë se ky kontigjent i papunë mund të punësohet gjatë vitit 2010, në ndërmarrje të tjera private
Problem në punësim, vërehet në sektorin e ndërtimit ku në tremujorin e parë të këtij viti, ka një rënie të theksuar të aktivitetit në këtë sektor.
b.a/NOA