English

Analistët: Ali Ahmeti, peng i lëndëve të Gjykatës së Hagës

Shkup, 19 prill, NOA - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ndryshon qëndrimet e tij lidhur me paralajmërimet për braktisjen e bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit.

Edhe përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme që në qershor se "integristët" do ti thonë lamtumirë kabinetit dhe kurorëzimit qeverisës me Gruevskin, Ali Ahmeti shpalosi lajmin kontradiktor se vazhdon të qenit në pushtet edhe pas qershorit, edhe në rast se nuk do të zgjidhet kontesti i emrit.

Analistët politik e kanë quajtur të papritur dhe tejet skandaloz paralajmërimin e tillë të Ahmetit dhe ndryshimin e qëndrimeve partiake.

Profesori universitar, prof.dr. Jeton Shasivari ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se deklaratat e tilla janë tejet joserioze dhe se sipas tij, BDI dhe Ahmeti janë peng i VMRO-DPMNE-së së Gruevskit.

"Mendoj se deklarata e tillë është joserioze përballë shqiptarëve në Maqedoni, kur dihet që VMRO si parti shtyllë e qeverisë tashmë i ka bllokuar proceset integruese dhe dita ditës jemi dëshmitarë të vendimeve dhe veprimeve diskredituese dhe degraduese për shqiptarët e Maqedonisë. Nga ana tjetër, deklaratat e tilla tregojnë për një dilemë që ekziston tek vetë lideri i BDI-së lidhur me atë se ai është i zgjedhur nga populli dhe jo nga shteti, për ti përfaqësuar shqiptarët. Me vetë faktin që përjashton mundësinë e braktisjes së Qeverisë, gjasat janë reale që ky subjekt të braktiset nga populli për shkak se nuk është në nivelin e duhur të përfaqësimit të interesave shqiptare", ka theksuar ligjëruesi universitar Shasivari.

Sipas tij, një faktor mjaft i rëndësishëm për një pozicion të tillë të këtij subjekti është vetë procesi i rasteve të Hagës me çrast siç nënvizoi ai "VMRO-DPMNE me një mjeshtëri të paparë e mban peng liderin e BDI-së dhe një pjesë të strukturës së saj".

Analisti dhe publicisti Njazi Muhamedi ka vlerësuar se Ahmeti me këtë dëshmon se është një peng i VMRO-DPMNE-së dhe politikës së saj.

"Ahmeti po shihet se është peng i lëndëve të Gjykatës së Hagës dhe korrupsionit në Qeveri. Një pengzënie e tillë do ti kushtojë shqiptarëve në rast se vazhdohet me avazin e tillë", ka theksuar Muhamedi për agjencinë e lajmeve INA, duke nënvizuar se shqiptarët me sjelljet e tilla të politikanëve bartës, nuk duhet të merren me Gruevskin, por pikërisht me liderët politik shqiptarë, në këtë rast sipas tij, kreu i BDI-së.

Muhamedi vlerëson se politikat e tilla duhet të shkojnë drejt greminës dhe ti jepet fund pazarllëqeve të tilla që bllokojnë proceset e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Vlerësimet e Ahmetit janë kritikuar edhe nga tabori i "integristëve" dhe se një pjesë e krerëve të tjerë të kësaj partie nuk kanë dashur të dalin me deklarime se çfarë do të ndodhë pas qershorit, kur nuk ka sinjale se Maqedonia do të ndryshojë emrin.

Çfarë deklaruan për dalje nga Qeveria

Ali Ahmeti ka përkujtuar partnerin e koalicionit se durimi i BDI-së do të zgjas deri në qershor, dhe në rast se deri atëherë nuk do të zgjidhet çështja e emrit dhe nuk debllokohet procesi euro-integrues i vendit, atëherë BDI-ja do të radikalizojë kërkesat e saja dhe seriozisht do të shqyrtoj pjesëmarrjen e saj në Qeveri. (31.03.2010)

"Pas qershorit, nëse nuk ka zgjidhje të çështjes së emrit, BDI duhet të zgjedh midis Gruevskit dhe popullit", ka deklaruar nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi.

NOA-INA

KOMENTE