Tiranë, 19 prill, NOA - Një grup përfaqësuesish të Tiranës, nga nënshkruesit e peticionit mbarëkombëtar kundër gjyqit të Albin Kurtit, i dërguan shefit të misionit të Eulex-it në Kosovë, një notë proteste në lidhje me qëndrimin institucional të këtij misioni ndaj gjyqit të tij.
Bëhet fjalë për një grup me më shumë se 30 përfaqësuesish të shoqërisë civile, të cilët i kanë shkruar Yves de Kermabonit se "me këmbënguljen për gjyqin kundër Albin Kurtit, misioni i Ligjit dhe Rendit i BE-së në Kosovë konfirmon rivendosjen e vazhdimin e mentalitetit kolonial dhe mjetet vulgare koloniale të sundimit mbi një popull".
"Albin Kurti po çohet në gjyq, sërish, se e ngre zërin kundër sundimit ndërkombëtar mbi Kosovën. Ai gjithashtu po çohet në gjyq sepse është angazhuar në organizimin e popullit kundër këtij sundimi, dhe për të drejtën kolektive për vetëvendosje.
Pra, Kurti po çohet në gjyq sepse angazhohet politikisht dhe se synon të organizojë popullin në një angazhim politik", thuhet në këtë deklaratë të grupit të përfaqësuesve në Tiranë.
Duke e cilësuar si "gjyq kundër drejtësisë", ai konsiderohet prej tyre si plotësisht dhe qartazi politik.
"Ne e mbështesim dhe e inkurajojmë qëndrimin e Kurtit në refuzimin e gjyqit si gjyq politik e për rrjedhojë avokatin, gjykatësit shqiptarë dhe prokurorin. Gjithashtu ne inkurajojmë Policinë e Kosovës që të mos iu nënshtrohet urdhrave të këtij Misioni", përfundon dokumenti i peticionit.
n.e/NOA