Tiranë, 19 prill, NOA - Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje, Itali e Greqi, vuajnë nga burokracia e administratës së huaj përsa i takon dokumenteve të legalizimit. Vetëm nga Greqia ccdo vit depozitohen pranë Avokatit të Popullit rreth 350 ankesa të emigrantëve.
Për këtë arsye, ky institucion ka kryer një vizitë në këto dy shtete për të nxjerrë më pas të dhëna në lidhje me situatën në të cilën jetojnë emigrantët shqiptarë.
Sipas ndihmës komisionerit të Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, ka zvarritje në kryerjen në kohë të dokumentacionit dhe në shumë raste, kjo arrihet pasi emigrantëve u ka skaduar koha e qëndrimit duke e bërë të pavlerë legalizimin.
"Problem shqetësues mbetet dhe zbatimi i të drejtave të burgosurve shqiptarë në këto dy shtete. Nga ankesat e emigrantëve ka probleme me njohjen e legjislacionit, me lejimin e vizitave të familjarëve të tyre, pa llogaritur kushtet në burgje e mbipopullimin", u shpreh ndihmës komisioneri.
Sipas tij, Avokati i Popullit i ka përcjellë këto shqetësime si në administratën e huaj dhe atë shqiptare dhe shumica e ankesave të emigrantëve ka marrë përgjigje pozitive.
b.a/NOA