Tiranë, 19 prill, NOA - Cilësia e vendeve që kanë njohur Kosovën shtet, në një kohë të shkurtër, është tepër domethënëse dhe përbën një bazë të sigurt për të shtuar njohjet e reja të saj.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp, zhvilluar me homologun e tij kosovar, Skënder Hyseni, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë 2-ditore.
"Bëhet fjalë për shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, NATO si edhe dy fqinjët Maqedoni dhe Mal i Zi që e kanë njohur deri tani Kosovën shtet, duke përbërë një hap shumë të madh sa i përket stabilitetit të saj. Por edhe anëtarësimi i saj në institucione si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar përbën një bazë të sigurt për njohje të reja", tha në fjalën e tij Meta.
Ndërsa në lidhje me raportet Prishtinë-Beograd, Meta tha se "dëshirojmë që edhe Serbia të marrë pjesë në Sarajevë dhe që në këtë mënyrë të plotësohet e gjithë harta e bashkëpunimit rajonal dhe aii rajonit tonë me Bashkimin Evropian çka është e nevojshme për të rritur kredibilitetet para tij".
"Pavarësisht nga qëndrimi i deritanishëm i Serbisë për pavarësinë e shtetit të Kosovës, një nga kërkesat e procesit të anëtarësimit të saj dret BE-së është thellimi i marrëdhënieve me fqinjët, e këtu futet edhe ajo me Kosovën, duke nisur nga çështjet praktike për të kapërcyer më tej problemet madhore që e dimë se nuk mund të kapërcehen brenda ditës", sqaroi kryediplomati shqiptar, Ilir Meta.
n.e/NOA