Tiranë, 19 prill, NOA - Shqipëria do të ketë shumë shpejt një ambasadë në Australi. Vendimi i qeverisë shqiptare për të rritur nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për t'i ardhur në ndihmë komunitetit shqiptar në këtë vend, është bërë sot publik nga zëvendëskryeministri dhe ministrit i Jashtë, Ilir Meta.
Në takimin me ambasadorin e Australisë, Jeremy Roger Newman, ministri Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Australisë dhe Shqipërisë, si në bashkëpunimin dy palësh, ashtu edhe në kuadër të aleancave dhe nismave ndërkombëtare.
Meta e njohu ambasadorin australian me rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton këtyre marrëdhënieve duke vënë në dukje se së shpejti Shqipëria do të mundësojë hapjen e selisë së saj diplomatike në Australi me qëllim nxitjen e këtyre marrëdhënieve si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik, njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme.
Gjithashtu, Meta theksoi se hapja e Ambasadës shqiptare në Australi do të ndihmojë edhe në forcimin e rolit të Komunitetit shqiptar në Australi për të zgjeruar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.
Diplomati shqiptar e ka falënderuar qeverinë australiane për kontributin e dhënë në procesin e njohjes së Kosovës.
Ambasadori australian, Jeremy Roger Newman ftoi ministrin e Punëve të Jashtme, Meta për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Australi në një kohë sa më të afërt.
m.xh/NOA