English

Prishtina e Beogradi, bashkë në Sarajevë?!

Beograd, 19 prill, NOA - Konferenca e Sarajevës, e cila mbahet në 2 qershor për problemet e Ballkanit, pritet që të ulë në të njëjtën tryezë përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit.

Pikërisht, mbi një fakt të tillë pritet që të diskutojnë gjatë një takimi që mbahet nesër në Beograd, ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë, Spanjës dhe Turqisë, të cilët do të përpiqen për të gjetur një zgjidhje mbi mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale.

Takimi i treshes Vuk Jeremiç, Miguel Angel Moratinos dhe Ahmet Davutoglu, do të jetë kyç për gjetjen e formulës së re të bashkëpunimit rajonal, ashtu që asnjëri vend të mos përjashtohet nga dialogu.

Temë e takimit të së martës do të jetë konferenca e Sarajevës, gjegjësisht sigurimi i pjesëmarrjes së të gjitha shteteve të rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, por edhe çështjet e veprimeve të mëtutjeshme, pasi që GJND të japë mendimin për pavarësinë e Kosovës.

Nga konferenca e Sarajevës, që mbahet më 2 qershor dhe organizohet nga Spanja si udhëheqëse e BE-së, pritet hapja e perspektivave të reja për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor në integrimet evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE