Tiranë, 19 prill, NOA - "Kryeministrin e pamë të flasë sot për çdo gjë, përveçse Shqipërisë reale, pasi ai nuk ka asnjë lidhje me realitetin e shqiptarëve".
Me një deklaratë të tillë, selia rozë reagoi përmes deputetit të saj Eduard Shalsi, menjëherë pas konferencës për shtyp të kryeministrit Sali Berisha, gjatë së cilës ia rrëfeu detaje mbi takimet e tij në Bruksel me autoritetet e larta evropiane, por edhe me ish-kryeministrin socialist, Fatos Nano, gjatë qëndrimit në Vjenë.
"Pushteti i Berishës ngrihet mbi vjedhjen e votës, mbi vjedhjen e pronës, mbi korrupsionin, mbi dhunimin e fjalës së lirë, mbi dhunimin e institucioneve të pavarura.
Shqipëria e vërtetë është ajo që publikoi INSTAT sot. 75 mijë shqiptarë kanë dalë të pa punë vetëm brenda 3 mujorit të parë të këtij viti. Kjo është Shqipëria e vërtetë!", tha Shalsi gjatë fjalës së tij.
Ndërsa sqaroi se pikërisht, "kjo është arsyeja sepse ne do protestojmë në 30 prill, kjo është arsyeja sepse më 30 prill shqiptarët do protestojnë masivisht në bulevardin qendror të Tiranës, deri në largimin e Sali Berishës".
n.e/NOA