Tiranë, 20 prill, NOA - Kaosi i trafikut ajror , i cili prej një jave ka prekur Evropën po ndihet edhe në shumë aktivitete kulturore të përcaktuara kohë më parë, të cilat duket se nuk do të zhvillohen edhe në Tiranë.
Në vazhdën e anulimit të fluturimeve mes Italisë dhe Shqipërisë për shkak të shpërthimit të vullkanit Eyjafjallajoekull në Islandë, Ambasada italiane në Tiranë njofton me keqardhje se spektakli "Tutta la vita è mar- vaudeville tra bonacce e tempeste" është anuluar.
Një njoftim i ngjashëm vjen edhe nga Ambasada franceze në Tiranë, e cila bën të ditur për Cirkun e Tiranës në Qendrën Metropolitane se "L'instant Theatre Compagnie" e cila kishte planifikuar shfaqjen e cirkut "Le marchand et le genie' "Tregtari dhe Gjeniu", një spektakël sipas përrallës "Njëmijë e një net" nuk do të ketë mundësi të shfaqet në Cirkun e Tiranës.
Organizatorët mendojnë se ky spektakël do të mund të vijë në Tiranë në muajin qershor.
m.s/NOA