Tiranë, 20 prill, NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka bërë një pasqyrë të situatës së krijuar në veri të vendit nga reshjet e shiut duke e cilësuar atë si mjaft të rënduar.
Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministri Basha theksoi se janë 1280 hektarë tokë nën ujë, ndërkohë që duhen marrë masat për të shmangur përmbytjet e tjera. Ai tha se përmbytjet kanë ardhur nga shkarkimet e hidrocentralit të Fierzës.
Basha informoi se vetëm gjatë 24 orëve të fundit është dyfishuar shkarkimi i ujit nga kaskada.
Ministri njoftoi dhe marrjen e masave për evakuimin e banorëve. Basha tha se fshati Obot është izoluar, ndërsa po merren masa për edhe për fshatrat e tjerë në mënyrë që të bëhet evakuimi i banorëve.
Ai kërkoi organizimin e gjithë autoriteteve lokale për të përballuar situatën.
m.xh/NOA