English

Berisha shkon në Kosovë për autostradën Prishtinë-Merdare

Tiranë, 21 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha do të udhëtojë këtë fundjavë në drejtim të veriut të vendit pasi të Dielën pritet të marrë pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve për autostradën Prishtinë-Merdare që do të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën, në zonën e fqinjit kosovar.

Burime pranë kryeministrit i thanë agjencisë NOA se shefi i qeverisë ka vendosur të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve që do të organizojë qeveria kosovare.

Autostrada Prishtinë-Merdare do të fillojë të ndërtohet më 25 prill, sikundër ka konfirmuar ministri kosovar i Transportit Fatmir Limaj.

Autostrada është paraparë të jetë e gjerë 28 metra me 4 shirita qarkullues, në të cilën do të mund të kyçet çdo qendër. Në çeljen e punimeve të kësaj autostrade, pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të dy vendeve.

Ndërkohë, ende vazhdojnë punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës. Kompania amerikano-turke Bechtel-Enka, përmes njoftimeve publike dhe fushatave publicitare kishte deklaruar se më qershor 2009 autostrada do të përfundonte, por kjo rezultoi vetëm një mashtrim, pasi ende puna s'ka mbaruar dhe specialistë në terren thonë se do të duhen dhe disa muaj të tjerë për të kurorëzuar punimet. Ndoshta në vitin 2011.

E njëjta kompani ka marrë përsipër ndërtimin e autostradës edhe në pjesën kosovare, Prishtinë-Merdare.

e.n/NOA

KOMENTE