English

Jaka: Të nxitet bashkëpunimi ekonomik me Marokun

Tiranë, 20 prill, NOA - Biznesi duhet të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira politike Shqipëri-Marok.

Një fakt të tillë, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, e ka bërë me dije gjatë një takimi të veçantë me Sekretaren e shtetit të Marokut, Latifa Akharbach. Në këtë takim u fol konkretisht se si marrëdhëniet tregtare duhet të marrin një dimension të ri mes dy vendeve.

Bashkëbiseduesit ndanë mendim të njëjtë për këtë, pasi sipas tyre "flitet në të njëjtën gjuhë ekonomike", për shkak të reformave të ndërmarra nga të dy vendet.

Sipas kryetarit të Dhomës, Nikolin Jaka, "niveli i mirë i marrëdhënieve politike në mes të dy vendeve duhet t'i shërbejë biznesit për të forcuar pozitat e tyre".

"Përfaqësitë politike promovojnë lehtësira tregtare dhe ky është një favor për sipërmarrësit, pasi biznesi ka nevojë për këtë", u shpreh Jaka në këtë takim, duke shtuar se "ka ardhur momenti i eventeve të përbashkëta mes sipërmarrësve të dy vendeve qoftë në Marok qoftë në Shqipëri, për të njohur konkretisht se si mund të organizohet më mirë qarkullimi tregtar".

Sipas tij pozita gjeografike e Shqipërisë është një përparësi në këtë drejtim, pasi "vendi ynë është një treg jo thjesht nacional, por ndërkombëtar". Duke renditur investimet e bëra si në infrastrukturën portuale dhe atë rrugore, kreu i Dhomës së Tregtisë qartësoi se të gjitha këto përbëjnë avantazh që Shqipëria të shihet si një portë e rëndësishme tregtare.

n.e/NOA

KOMENTE