Osijek,(Kroaci), NOA- Autoritetet e Bosnjës dhe Kroacisë thanë se policia kroate arrestoi një të dyshuar për ekzekutimet ndaj mijëra myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë. Zyra e Prokurorit Shtetëror në Sarajevë tha se Franc Kos u arrestua afër qytetit kroat të Osijekut.
Kos, i cili është me origjinë sllovene, besohet të ketë qenë anëtar i njësit të ushtrisë serbe të Bosnjës, i cili kreu ekzekutimet sistematike të rreth 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në korrik, 1995 në masakrën më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Autoritet e Bosnjës thanë se sot do ta kërkojnë ekstradimin e tij.
NOA