English

"Mashtruesi Çe Çe", udhëtim në Maqedoni

Tetovë, 20 prill, NOA - "Mashtruesi Çe Çe", vepra e njohur e Pirandellos ka udhëtuar në një turne në Maqedoni, në qytetet Tetovë, Gostivar dhe Dibër e Madhe. Aktori dhe regjisori Albert Verria, pas një periudhe heshtjeje, i është rikthyer skenës me komedinë "Mashtruesi Çe Çe", premiera e së cilës është shfaqur në teatrin "Petro Marko".

Duket se spektatori i shumtë, i cili ka shijuar momentet të bukura dhe argëtuese të komedisë, me aktorët Jorgaq Tushe, Ilirian Aliaj, parodisti Afrim Agalliu si dhe Ivana Metaj i ka dhënë rezultatet e veta.

Pas shfaqjes, spektatorët kanë shprehur kënaqësinë që në skenën e Teatrit të Vlorës është vënë një komedi ku regjisori dhe aktori vlonjat, Verria, ka qenë protagonist pas një periudhe të gjatë mungese.

Regjisori dhe aktori Albert Verria , së bashku me trupën e ka përcjellë këtë vepër të rëndësishme të Luigi Pirandellos edhe në qytetet e Maqedonisë, ku jetojnë dhe banojnë shqiptarët.

Sa i përket autorit të kësaj vepre, regjisori Verria ka cituar një shprehje të regjisorit të njohur italian me origjinë arbëreshe, Antonio Gramshi, i cili thotë se "Pjesët e Pirandellos janë bomba dore, që shpërthejnë në mendjen e spektatorëve dhe shkaktojnë përmbysje ndjenjash dhe mendimesh".

m.s/NOA

KOMENTE