English

Njolla të derivateve të naftës në Liqenin e Ohrit

Ohër, 20 prill, NOA - Ajo që ndodh kohë pas kohe në ujërat e Liqenit të Ohrit, me paraqitjen e njollave të vogla të derivateve të naftës ose të ngjyrave për ngjyrosjen e anijeve, kësaj here i ka tejkaluar të gjitha parametrat, saqë konsiderohet si lloj katastrofe ekologjike.

Sasi e konsideruar e naftës është derdhur në Liqenin e Ohrit, që ka krijuar njollë të madhe të naftës, që është koncentruar në afërsi të bregut në qytet, njofton korrespondenti i agjencisë së lajmeve INA, kurse ambjentalistët konsiderojnë se kjo ka shkaktuar incident të rëndë ekologjik.

Inspektoratet ekologjike komunale dhe ato republikane, kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me shërbimet e NP "Proakva" dhe janë duke bërë verifikimin e pusetave për të konstatuar se prej nga vjen kjo sasi e naftës në ujërat e Liqenit të Ohrit.

Vlerësimet e para janë se kjo ndodhë për shkak të reshjeve të mëdha të ditëve të fundit, që kanë "ngacmuar" edhe sasi të konsideruar të naftës të derdhet në Liqenin e Ohrit.

Zoran Dimovski, inspektor shtetëror për ekologji, ka deklaruar se deri më tani janë verifikuar rreth 60 puseta, prej të cilave në dy apo tre puseta është konstatuar se ka sasi të naftës. Tani vazhdohet me verifikimin e pusetave të tjera.

Megjithatë, për sasinë e derdhur, askush nuk merr guximin të vlerësojë sesa është sasia e derdhur e naftës.

Për të konstatuar se prej nga është lëshuar nafta që ka vërshuar Liqenin e Ohrit, duhet verifikuar të gjitha instalimet e mundshme të personave fizik dhe juridik dhe të bëhen analizat plotësuese të fabrikave dhe pikave të karburanteve, për të thënë me saktësi se kush është fajtor për njollat e naftës në Liqenin e Ohrit, ka pohuar Tanas Tanaskoski, nga komuna e Ohrit.

Inspektorati republikan për ekologji, ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal pranë Gjykatës Themelore në Ohër, kundër kryesit të panjohur, por njëkohësisht do të hulumtohet e gjurmohet për të zbardhur identitetin e kryesit të veprës. Në ndërkohë, është formuar një trup koordinativ, që do të veprojë deri në zbardhjen e kryesit të veprës, që ka shkaktuar edhe prishjen e biodiversitetit të Liqenit të Ohrit.

NOA-INA

KOMENTE