Elbasan, 20 prill, NOA - Për dy ditë rresht, nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme në Papër të rrethit Elbasan, kanë ndërprerë mësimin dhe kanë protestuar kundër vendimit të Drejtorisë Arsimore të këtij rrethi për shkarkimin nga detyra të nëndrejtoreshës së shkollës, Anife Bullari, një nga mësueset më të vjetra në këtë shkollë dhe me përvojë të gjatë drejtimi.
Me kërkesë të vetë nxënësve të kësaj shkolle, për ta mbështetur këtë protestë, ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Socialiste, Agim Leka.
Gjatë fjalës së tij deputeti socialist u shpreh se ky shkarkim ishte një lëvizje për motive politike, dhe se nxënësit kanë të drejtë të protestojnë.
"Tani shkolla është e politizuar më shumë se asnjëherë. Pushteti vazhdon kërcënimin e mësuesve jo vetëm në këtë shkollë, por kudo në Elbasan duke luajtur me vendin e punës së tyre. Edhe sot në këtë shkollë duket sheshit se nxënësit janë të frikësuar nga mësuesit partiakë të PD", ka përfunduar ai.
n.e/NOA