Fier, 20 prill, NOA Update - Një terror të vërtetë psikologjik kanë përjetuar pasagjerët e linjës Tiranë-Sarandë, ndërsa një person i ka ndaluar në vendin e quajtur fshati Fratar i Mallakastrës dhe ka marrë në dorë drejtimin e autobusit me të cilin ata ishin duke udhëtuar.
Bëhet fjalë për mjetin me targë SR 4911 B, i cili në ato momente ka qenë i ndaluar dhe është larguar më pas në drejtim të Tepelenës.
Burimet policore të Fierit, duke dhënë të gjitha detajet rreth ngjarjes së rëndë bëjnë me dijeni se në këto momente në autobus kanë qenë rreth 6 pasagjerë, pasi pjesa tjetër e tyre, bashkë me drejtuesin e këtij autobusi kishin ndaluar për të pushuar në një nga lokalet aty pranë.
Më tej, forcat policore konfirmojnë se në vendin e quajtur fshati Krast i Tepelenës, rreth 15 metra në vijën kufitare Ballsh-Tepelenë, iu vunë në ndjekje autobusit për rreth 20 minuta duke bërë të mundur kapjen dhe neutralizimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje.
Mësohet se ai është Eduard Rexhepi, 32-vjeç, lindur dhe banues në Patos të Fierit, për të cilin dyshohet se ka probleme mendore, gjë e cila mund të ketë ndikuar edhe në realizimin e kësaj pengmarrje që shkaktoi panik tek pasagjerët e autobusit të lartpërmendur.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, personi që rrëmbeu autobusin ka qenë me probleme mendore. Ndërkohë, që ai nuk dinte as të drejtonte mirë dhe autobusin, gjë që ka sjellë dhe përplasjen e shpeshtë të tij dhe më pas djegien.
Por për fat të mirë, nga e gjithë kjo histori nuk pati asnjë të lënduar, megjithëse pasagjerët janë shprehur mjaft të tronditur nga gjithçka ndodhi, për më tepër që autobusi i përfshi edhe nga flakët.
Shoferi i autobusit, Vasil Mërkuri, deklaroi tha se personi që mori peng autobusin i ka kërkuar atij në fshatin Fratar të Ballshit që ta marrte deri në Sarandë pa paguar lekë. Ndërsa më pas pasagjeri ka shfrytëzuar një moment pakujdesie të shoferit dhe ka marrë drejtimin e automjetit.
n.e/NOA