English

Pensionet e emigrantëve, Shqipëria hap negociatat me Italinë e Greqinë

Tiranë, 20 prill, NOA - Pas një periudhe heshtjeje, shtetet fqinje, Italia e Greqia që kanë dhe numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë kanë shfaqur interes për të hyrë në marrëveshje me Shqipërinë në lidhje me njohjen e sigurimeve shoqërore për emigrantët.

Ministria e Punës përmes Ministrisë së Jashtme i ka përcjellë qeverisë italiane, procedurat e marrëveshjes që ka për bazë trajtimin e barabartë të shtetasve pavarësisht origjinës së tyre.

Drejtori i politikave për pensionet dhe pagat, Astrit Kuka tha sot se prej një muaji, ambasadat e këtyre vendeve në Tiranë kanë përcjellë interesin e qeverive të tyre për të mësuar mbi kushtet e marrëveshjes, edhe pse ajo do të ketë një kosto të lartë për vendet që do ta firmosin.

"Në kuadër të integrimit evropian, Shqipëria është e detyruar të zbatojë ligjet ndërkombëtare, një prej të cilave dhe trajtimi i barabartë i shtetasve pavarësisht origjinës. Kjo është dhe një nga pikat kyçe të marrëveshjes, ndërsa dy të tjerat janë eksportimi i kontributeve nga njëri vend në vendin ku jeton aktualisht emigranti, ndërsa pika themelore e marrëveshjes është bashkimi i kontributeve nga vendi i origjinës me vendin pritës", tha Kuka.

Sipas të dhënave të ministrisë së Punës, aktualisht Shqipëria ka ratifikuar marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Turqinë, ndërsa ka hyrë në bisedime me vende të tilla si Rumaninë, Bullgarinë, Mbretërinë e Vendeve të Bashkuara, Belgjikën etj.

b.a/NOA

KOMENTE