Tiranë, 20 prill, NOA - Shqipëria mori dje vlerësimin e dytë të riskut të investimit nga kompania "Standard and Poor's" (S&P), e cila është një nga tre kompanitë kryesore ndërkombëtare të vlerësimit të riskut sovran (Moody's, S&P dhe Fitch Ratings).
Vlerësimi që S&P bëri për vendin tonë është B+, me një këndvështrim "stabël" për qëndrueshmërinë financiare dhe makro-ekonomike të vendit.
Ky vlerësim është një konfirmim i vlerësimit të Moody's dhe shpreh besimin e analistëve ndërkombëtarë të riskut për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare.
Vlerësimi i S&P i paraprin daljes së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitalit në dy javët e ardhshme, me eurobondin e saj të parë.
Një vlerësim pozitiv dhe stabël i riskut të vendit, është shumë i mirëpritur nga tregjet dhe pritet të gjenerojë një kërkesë të lartë për blerjen e instrumentit te eurobondit.
Vlerësimi B+ vjen në një kohë kur rajoni dhe bota ende përballet me krizën ekonomike dhe financiare e kur shumica e vendeve të rajonit kanë marrë vlerësime ne zbritje (doëngrades) nga kompanitë e riskut.
Në vlerësimin e saj për riskun e vendit, kompania S&P citon si argumente kryesore rritjen solide të ekonomisë, potencialin e saj afatmesëm dhe afatgjatë, prospektet për integrimin europian dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave.
Gjithashtu S&P thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi europiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recesion, por përkundrazi u rrit në mënyrë të qëndrueshme, në sajë të politikave të efektshme makro-ekonomike të qeverisë.
S&P gjithashtu vlerëson se mbajtja nën kontroll e inflacionit ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare.
n.e/NOA