English

Takimi Berisha - Nano, Rama: Për mua nuk ka asnjë gjë të re

Tiranë, 20 prill, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi sot për deklaratën e kryeministrit Berisha pas kthimit nga Brukseli dhe për takimin mes kryeministrit dhe ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Kreu i PS-së, Rama u shpreh se "i pari i qeverisë është i fundit njeri i interesuar në këtë vend për të zgjidhur krizën therëse që po prek përditë si një epidemi varfëruese familjet shqiptare".

Duke bërë një analizë të shifrave dhe të dhënave ekonomike, Rama theksoi se vendi ndodhet në një krizë të gjithanshme dhe situata financiare në vend është alarmante.

Rama u shpreh se vetëm protestat mund të sjellin ndryshimin e gjërave në vend dhe se pas 30 prillit, 1 maji do të jetë dita e betejës.

"30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive të krimit elektoral dhe 1 maji do të gdhijë si dita e betejës qytetare për nxjerrjen e ekonomisë së vendit nga kutia e një krize që e thellojnë përditë pushtetarët dhe e paguajnë në fund të çdo muaji qytetarët", u shpreh Rama.

Kreu i PS-së shtoi se deklaratat e kryeministrit Berisha mbrëmë janë një arsye më shumë për të dalë "në 30 prill e në 1 maj në protestën më të gjatë e më të madhe që një popull mund të bëjë për të ndalur rrënimin e provokuar nga qeveria e vet".

Kreu i PS-së ju përgjigj dhe pyetjeve në lidhje me takimin Nano-Berisha. Ai ju drejtua gazetarëve se "vetëm ju për arsye të shitjes së lajmit dhe gazetës mund të gjeni diçka të re në këtë, për mua nuk ka asnjë gjë të re".

Ndërsa fakti që kreu i PS-së proteston dhe Nano dhe Berisha hanë darkë në Vjenë, për Edi Ramën do të thotë se kjo "është shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë".

m.xh/NOA

KOMENTE