English

Topalli-Hyseni: E ardhmja e Shqipërisë e Kosovës është në BE

Tiranë, 20 prill, NOA - "E ardhmja e Shqipërisë e Kosovës është në Bashkimin Europian". Ky është qëndrimi që ka mbajtur Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në takimin e zhvilluar sot me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni.

Topalli ka theksuar se të gjitha vendet e rajonit duhet të shohin nga e ardhmja dhe duhet të marrin si qëllim final hyrjen në BE.

Në takimin mes dy personaliteteve është vlerësuar nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e pjesës kosovare të "Rrugës së Kombit", arteries që do lidhë edhe më shumë politikisht dhe ekonomikisht jo vetëm dy vendet, por gjithë zonën ballkanike.

Topalli dhe Hyseni u shprehën optimistë që në të ardhmen, vende të tjera të reja, shumë shpejt do të shtohen në numrin e shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri Hyseni vlerësoi përkrahjen e Shqipërisë në procesin të njohjes së Kosovës. Ai tha se kjo përkrahje është e pazëvendësueshme.

Vizita e pak ditëve më parë e Kryetarit të Kuvendit, pasuar nga vizita e sotme dëshmojnë një intensifikim të bashkëpunimit mes dy vendeve, bashkëpunim unik ky, në rajon.

Hyseni, gjata takimit foli dhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare deri në anëtarësimin e plotë në OKB. Ai tha se faktorët politikë të Kosovës po japin gjithnjë e më fort mesazhe të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit

Dy palët diskutuan dhe për koordinimi e lobimit diplomatik e parlamentar për përshpejtim të njohjes së Kosovës, zhvillimet në Kosovë, Shqipëri e rajon, hapat integrues si dhe bashkëpunimi dy dhe shumë palësh rajonal.

m.xh/NOA

KOMENTE