Këln, 20 prill, NOA - Gratë pas kamerave dhe filma nga rajoni Ballkanit ishin në qendër të festivalit të filmit ndërkombëtar të gruas në Këln. Festivali zhvillohet për të pestën herë.
"E kujt është kjo këngë në të vërtetë?" - pyet veten regjisorja bullgare Adela Peeva, kur e dëgjon atë në turqisht. "A nuk është kjo këngë në zanafillë bullgare? "Jo, kjo është një këngë greke", shton një tjetër.
"Të gjithë e keni gabim. Kjo është në zanafillë këngë serbe", thotë shoku i Adela Peevas.
Kështu fillon filmi i Adela Peeva-s "Përreth Ballkanit". Regjisorja has në Bullgari, Greqi, Turqi, Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë njerëz, që janë të bindur, se kjo këngë është e tyrja. "Whose is this song?" është një film dokumentar, që ka shkaktuar shumë diskutime, që tregon për absurditetet në Ballkan, por edhe sa të lidhur janë atje njerëzit me traditën. Gratë në këta filma, si të Adela Peeves, kanë një këndvështrim tjetër nga burrat. Dhe pikërisht kjo duhej të nxirrej në pah në festivalin e filmit të gruas në Këln, tregon njëra prej kuratoreve të fokusit "Rreth e rrotull Balkanit", Betty Schiel:
"Ka shumë, shumë më pak gra, që bëjnë filma, që shkruajnë skenarët për to. Edhe këto janë shpesh histori, që tregohen për gratë. Eshtë padyshim këndvështrimi i një gruaje për botën. Dhe kjo mua më intereson. Edhe dua të shoh, se si e përceptojnë botën gratë dhe pastaj ta shtjelloj nga ana artistike në film. Dhe kjo është ideja, që fshihet pas këtij festivali."
Një vend të posaçëm në festival e zënë edhe filma nga vendet e ish Jugosllavisë.
"Socializmi është shkatërruar. Jugosllavia ka kaluar një luftë të vështirë dhe tani duhet të krijohet diçka e re. Edhe pse kjo është një situatë e vështirë, ofron mundësi për krijimtari. Duhet ndërtuar edhe diçka e re. Unë besoj se filmi mund të luajë një rol shumë të madh për të krijuar mirëkuptimin dhe për të parë përtej kufijve të vendeve të veçanta."
Njëra, që hedh vështrimin përtej kufinjve dhe reflekton ndaj së kaluarës së luftës është boshnjakja, Jasmina Zhbanic. Fituesja e ariut të artë në Berlinalen e vitit 2006 është një nga regjisoret më të suksesshme në Ballkan. Filmi i saj i ri "On the path" hapi festivalin e filmit.
Jasmina Zhbanic është një ndër të paktat regjisore të suksesshme në këtë rajon. Ka shumë faktorë, që vështirësojnë punën e regjizoreve të talentuara, thotë aktorja serbe, Mirjana Karanovic, anëtare e jurisë.
"Gruaja në Ballkan nuk mund të dalë thjesht nga shtëpia dhe të thotë: Unë po shkoj të bëj punën time. Ajo duhet të marrë një lloj leje dhe mbështetjeje nga partneri për këtë. Përndryshe hyn në situtata të thella konfliktuoze dhe i krijohen probleme me ambjentin përreth, me shokët, të dashurin, rrethin e miqve të saj."
Është krijuar një brez i ri i regjisoresh, por gratë nuk e përballojnë dot presionin në këtë sektor, kur martohen dhe bëhen me fëmijë. Për një grua është dyfish më e vështirë të qëndrojë pas kamerës se sa për një burrë, thotë Mirjana Karanovic. Kësaj i shtohet edhe fakti, se i gjithë sektori i filmit në Ballkan ndodhet në një krizë të thellë. Rallë ka para për projekte të mëdha kinematografike.
24-vjeçarja Sabrina Begovic nga Sarajeva e di se mund të mbijetojë si regjisore, vetëm n.q.s. bashkëpunon me të tjerë në rajon. Sepse këto vende kanë edhe shumë tema të përbashkëta, për të cilat duhet të reflektojnë në film.
"Këto janë tema, që shfaqen gjithnjë. Temat ndërmjet tradicionales dhe modernes, ndërmjet prosperitetit dhe regresivitetit, ndërmjet mundësive dhe pengesave. Dhe gjithnjë është një lloj lufte".
Kur jemi tek të përbashkëtat në Ballkan. E kujt ishte kënga e filmit dokumentar të bullgares Adela Peeva?
I takon secilit dhe deri diku askujt! Supozohet që origjinën e saj të vërtetë ta ketë tek hebrejtë sefardë dhe armenët, ose që ta ketë origjinën nga Persia.
DVelle