Prishtinë, 21 prill, NOA - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është rihapur sot në mëngjes për fluturime, pas ndërprerjeve të fundit të tyre të krijuara për shkak të lëvizjes së hirit vullkanik nga Islanda në hapësirën ajrore evropiane.
E lidhur me këtë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës së bashku me Aeroportin e saj, kanë vendosur që nga mëngjesi i sotëm, rreth orës 06:00, të rifillojne fluturimet.
"Ky vendim është marrë në përputhje me vendimin e ministrave të Transportit të Bashkimit Evropian që pavarësisht hirit vullkanik, një pjesë e fluturimeve të fillojë", - deklaroi lidhur me një fakt të tillë, zëdhënësi i Aeroportit, Altin Ahmeti, duke pohuar se do të zhvillohen fluturimet nga Gjermania e Zvicra.
Ndërsa pilotët do të informohen me shkallën e kontaminimit të hapësirës ajrore dhe ata vetë do të vendosin nëse do të fluturojnë apo jo.
Në të njëjtën mënyrë, kanë vepruar edhe Shqipëria e Maqedonia gjatë ditës së sotme, të cilat nuk bllokuan plotësisht fluturimet, por vendosën restrekcione.
Ndërkaq, mbrëmë ishte njoftuar për anulimin e të gjitha fluturimeve dhe mbylljen e përkohshme të aeroportit prej orës 22:00 të ditës së martë e deri në orën 12:00 të ditës së sotme dhe sqarohet se mbyllja ishte bërë për shkak se pritej kalimi i hirit vullkanik edhe nëpër Kosovë.
Kurse fluturimi nga "British Airuays" për/nga Londra për ditën e sotme ka konfirmuar anulimin e fluturimit të saj, ndërsa fluturimet e tjera janë duke u zhvilluar normalisht.
n.e/NOA