Tiranë, 21 prill, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim Sekretaren e Shtetit për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Mbretërisë së Marokut, Latifa Akharbach, e cila i ka përcjellë atij përshëndetjet e Mbretit Muhamed VI e kryeministrit Abbas El Fassi.
Ndër të tjera, ajo shprehu vullnetin e qeverisë së Marokut për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe vlerësoi lart arritjet transformuese të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e cilësoi vizitën si kontribut të çmuar në marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, si dhe shprehu konsideratat më të larta për reformat e ndërmarra nga Mbreti dhe qeveria e Marokut në modernizimin e vendit.
Kryeministri falënderoi Sekretaren e Shtetit për mbështetjen e dhënë në UNESCO, për përfshirjen e Beratit në fondin e trashëgimisë kulturore botërore.
Më tej, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në rrugën e integrimit evropian, potencialet e zhvillimit ekonomik të vendit si dhe ftoi investitorët marokenë të marrin pjesë në projektet e zhvillimit infrastrukturor, energjetik, turizëm dhe fusha të tjera me interes dypalësh.
Në takim u diskutua ndër të tjera edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë dhe Marokut në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare shumëpalëshe, përfshirë në kuadër të Bashkimit për Mesdheun dhe Dialogut Mesdhetar të NATO-s, Konferencës Islamike dhe organizatës së Frankofonisë.
n.e/NOA