Tiranë, 21 prill, NOA / Milena Selimi - 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s.
E në këtë ditë, Shqipëria organizon aktivitetet e saj që lidhen me librin dhe botimet, por sivjet në programin e MTKRS-së shihet se ka një organizim të vakët i cili mbetet në kufijtë e disa takimeve me nxënës dhe studentë, pak promovime dhe ndonjë autor i huaj që do të ketë mundësinë të komunikojë me studentë të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Ambasada e Italisë në Tiranë dhe Universitetet e Tiranës dhe Elbasanit bashkëpunojnë për disa takime me autorë.
Më 22 prill autorët Arben Dedja dhe Amik Kasoruho do të takohen me nxënës dhe studentë të Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Tiranës.
Më 22 prill në Bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ora 17.30 inaugurohet një sallon i librit italian dhe shqiptar, me praninë e kryetarëve të bashkive të Tiranës dhe Torinos, Edi Rama dhe Sergio Chiamparino.
Data 23 prill ofron konferencën me titull "Letërsia dhe integrimi" në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Italishtes.
Mendohet të marrin pjesë Carmine Abate, shkrimtar kalabrez, Silvana De Mari, Sokol Jakova, Valbona Jakova, Raffaele Nigro, Alessandro Sanna (ilustrator).
Po këtë ditë në Bibliotekën e GKA-së, mbahet një diskutim me temë "Letërsia e migrimit italofon, 1990-2010", ku marrin pjesë Diana Çuli, Mia Lecomte, poete dhe studiuese e letërsisë së migrimit, Livio Muci, drejtor i Shtëpisë Botuese "Besa" i cili do të flasë për fenomenin e letërsisë migrante në nivelin historik-kulturor e editorial, dhe autorë shqiptarët Arben Dedja dhe Amik Kasoruho.
Në Bibliotekën Kombëtare, më 23 prill, ora 11.00 organizohet një aktivitet në kujtim të 100-vjetorit të botuesit Ismail mal'OSmani, si dhe paraqitja e botimit "Ismail Mal'Osmani, Njeriu i Librit" nga Spiro Mëhilli, përurimi i Ekspozitës Retrospektive të Botuesit, si edhe një takim me njerëz të letrave dhe të shtypit në atë që drejtori Plasari e quan takimi në Gotën tradicionale.
I vetmi aktivitet i rëndësishëm mbetet çmimi i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" që jepet nga MTKRS prej vitit 2006. Juria që kryesohet nga Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, do të japë këtë çmim më 23 prill, që vlerëson cilësitë më të mira të botimit të një vepre.
Çmimi ka vlerën financiare prej 500 mijë lekësh.
m.s/n.e/NOA