English

Harxhi-Bentler: Siguria në Kosovë po konsolidohet

Tiranë, 21 prill, NOA - Siguria në Kosovë po konsolidohet gjithnjë e më tepër duke krijuar një klimë më të përshtatshme për zhvillimin ekonomiko-social në vend dhe këtë e dëshmon fakti i kalimit hap pas hapi të përgjegjësive të sigurisë tek shërbimi policor i Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së saj.

Një fakt i tillë u theksua sot gjatë takimit që zv/ministrja e Jashtme Edith Harxhi zhvilloi me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Markus J. Bentler, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj.

Në fokus të takimit ishin përmirësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë, roli dhe kontributi i KFOR-it në përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e Kosovës dhe me vendin tonë.

Harxhi e falënderoi gjeneralin Bentler për punën e shkëlqyer që bëjnë trupat e KFOR-it të drejtuar prej tij në shërbim të ruajtjes dhe forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë si dhe për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe theksuan, se rritja e pranisë së mekanizmave të BE-së në veri të Kosovës, do të ndikojë së tepërmi në përmirësimin e jetës së përditshme të komunitetit serb që jeton atje.

n.e/NOA

KOMENTE