Bruksel, 21 prill, NOA - Gjendja e ngërçit të krijuar me fluturimet ajrore për shkak të hirit vullkanik të Islandës, duket se është përmirësuar pasi është lajmëruar se të paktën 50 përqind e fluturimeve të planifikuara do të nisen sot.
Kështu, aeroplanët po nisen nga Parisi, Madridi, Zvicra, Amsterdami dhe Frankfurti, pika të rëndësishme këto për fluturimet ajrore në Evropë, nga ku prej mëse 5 ditësh nuk mund të fluturohej fare.
Ndërkaq, aeroplanët e parë ateruan në aeroportin Heathrou të Londrës, ndërsa edhe Polonia pritet t'i hapë qiejt e vet. Ndërkohë, kreu i Organizatës së Aviacionit Civil, Roberto Kobeh Gonzalez, tha se tani është i sigurt fluturimi mbi Evropë pasi autoritetet kanë vendosur t'i rihapin hapësirat ajrore dhe t'i rifillojnë fluturimet.
Megjithatë, mbetet frika se vullkani në Islandë mund të shpërndajë më shumë hi.
Zyra meteorologjike e Islandës tha se shumica e materies shpërthyese nga vullkani ka dalë, çka tregon se reja prej hiri po zvogëlohet dhe shpërthimi i vullkanit po hyn në një fazë të re.
n.e/NOA