English

KFOR-i danez ndihmon me pajisje Policinë e Kosovës

Prishtinë, 21 Prill NOA - Në prani të zyrtarëve të lartë të PK-së dhe atyre të KFOR-it u mbajt sot ceremonia e pranim dorëzimit të shumë pajisjeve në kampin Vrella (në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës).

Me këtë rast Policia e Kosovës pranoi nga KFOR-i danez mbi 30 automjete të ndryshme (vetura 4X4, kamionë, furgonë, pick-up etj.) kontejnerë, pajisje policore (mburoja, helmeta, dylbi etj.) si dhe pajisje të tjera.

Ndihmës drejtori i shërbimeve mbështetëse të PK-së, Ragip Bunjaku, duke falënderuar Qeverinë daneze dhe kontingjentin danez të KFOR-it, ceku edhe rëndësinë e pajisjeve të pranuar në këtë ceremoni:

"Ky donacion i dhuruar nga ju, është ndër donacionet më me vlerë për Policinë e Kosovës, i cili do të shfrytëzohet nga Njësitë Policore që kanë më së shumti nevojë për to, dhe që do të jenë në funksion të ruajtjes së rendit dhe të zbatimit të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe motiv më i madhe për punë"- theksoi z.Bunjaku duke falënderuar përfaqësuesin e KFOR-it danez - Palle Bo Svendsen.

Ai tutje shtoi se bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in, e në këtë rast me Kontingjentin Danez të KFOR-it, do të jetë gjithnjë edhe më i madh duke cekur se Policia e Kosovës do të zotohet që këto pajisje do t'i shfrytëzojë në funksion të sundimit të ligjit në Kosovë.

Edhe z.Svendsen duke cekur bashkëpunimin e mirë në mes KFOR-it dhe PK-së theksoi se këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit të Policisë së Kosovës.

e.r/NOA

KOMENTE