Tiranë, 21 prill, NOA - Komiteti Shqiptar i Helsinkit përmes një deklarate për shtyp, ka dalë zyrtarisht në mbrojtje të banorëve të Thumanës të cilët kanë protestuar para pak ditësh për prishjen e disa shtëpive në pronësi të 12 familjeve me banim në këtë fshat.
"Para dy ditësh, dy përfaqësues të organizatës sonë, shkuan në vend për t'u njohur me gjendjen, pretendimet dhe ankesat e këtyre shtetasve. I gjetëm ata fëmijë, pleq, gra e burra, në kushte të mjeruara. Ndonëse ishin përpjekur të strehoheshin në kasolle bagëtish dhe çadra të ngritura pranë shtëpive të prishura, nuk mund të mbroheshin nga shiu që binte pa pushim. E parë në vend gjendja e këtyre shtetasve dhe e pasurisë së tyre, ishte edhe më tronditëse sesa pamjet që kishim ndjekur nëpërmjet mediave elektronike", citohet në këtë deklaratë.
Duke bërë me dijeni se duke dëgjuar e vëmendje ankesat e pronarëve që deklaruan se nuk ishin kundër shpronësimit për interes publik të pasurisë së tyre të paluajtshme por, mënyrën se si vepruan strukturat e shtetit ndaj pasurisë së tyre, "e konsideronin antinjerëzore dhe një sjellje që nuk e prisnin nga shteti i tyre".
"Banorët na vunë në dijeni se në asnjë rast nuk ishin njoftuar zyrtarisht, ndërsa lidhur me shumat e caktuara për kompensimin e tyre, kishin ardhur në dijeni vetëm nëpërmjet shtypit të përditshëm", citon Komiteti i Helsinkit.
Në fund, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vlerësuar se është krijuar një situatë e rëndë, e krijuar nga disa organe shtetërore, ndërsa veprimet e kryera bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
n.e/NOA