Tiranë, 21 prill, NOA - Shkrimtarë, studentë dhe admirues të letërsisë do të kenë mundësinë që përgjatë kësaj jave të njihen me vlerat më të mira të artistëve të shqiptarë dhe italianë. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojnë Sallonin e Librit Italo - Shqiptar, në datat 22-25 prill.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të 23 prillit Ditës Botërore të Librit. Pjesë e këtij aktiviteti është dhe "Salone del Libro di Torino" (Salloni i Librit të Torinos), si edhe Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Në ceremoninë e hapjes në Galerinë e Arteve, në datën 22 do të jenë të pranishëm 2-3 autorë italianë, si edhe autorë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Itali.
"Kjo veprimtari do të përfshijë një panair të vogël libri që do të vendoset para Galerisë së Arteve, duke filluar nga pasditja e datës 22 prill, ora 18:00, koha kur do bëhet inaugurimi i hapjes së saj, dhe do të vazhdojë deri më datë 25 në mbrëmje", njofton Ministria e Kulturës.
Përveç kësaj, do të ketë disa takime mbi letërsinë italiane dhe mbi autorët shqiptarë me banim në vendin fqinj. Tema e këtij aktiviteti do të jetë "Letërsia dhe integrimi". Takimet do të zhvillohen paraditen e datës 23 prill.
Ndërsa një takim tjetër mbi letërsinë shqipe, do të jetë në sallën e Galerisë së Arteve, në të cilin do jenë të pranishëm shkrimtarët shqiptarë. Pasditen e datës 23 prill do të zhvillohet edhe një tjetër takim mbi gazetarinë, ç'ka do të shtojë larminë dhe përgjegjësinë e pasqyrimit me sa më objektivitet të këtyre veprimtarive.
Një aktivitet tjetër pjesë e Sallonit të Librit Italo - Shqiptar është dhe ceremonia e përkujtimit të botuesit Ismail Mal'Osmanit. Në këtë ceremoni do të prezantohet botimi "Ismail Mal'Osmani - Njeriu i Librit" nga shkrimtari Spiro Mehilli.
m.xh/NOA