English

Mjeshtrit e artit italian "zbarkojnë" në Tiranë, vizita nga personalitetet

Kryeministri Sali Berisha viziton ekspozitat me punime të artistëve të mëdhenj, të artit italian dhe atij botëror. Pohon se hapja në Galerinë e Arteve të ekspozitës së korifejve të mëdhenj të kulturës italiane dhe botërore përbën një ngjarje të madhe në jetën kulturore të kryeqytetit dhe të vendit tonë në tërësi, si dhe një ngjarje kulmore, në artet pamore mes dy vendeve tona

Tiranë, 21 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizitoi sot pasdite, në Galerinë e Arteve, ekspozitat e çelura në kuadrin e stinës së aktiviteteve kulturore Itali-Shqipëri 2010. Ekspozita e konceptuar në dy pjesë të titulluara "Shkëlqime klasike dhe "Atmosfera e shekullit të 20", sjell për herë të parë në Shqipëri artistë të mëdhenj të artit Italian dhe atij botëror, të cilët paraqiten me veprat e tyre origjinale që datojnë nga fillimi i shekullit të 16 deri në shekullin e 20-të.

Së bashku me Kryeministrin, në ketë ngjarje ishin të pranishëm edhe organizatorët që bënë të mundur hapjen e këtyre ekspozitave, si ambasadori Italian, zoti Saba D'elia, koleksionisti dhe artisti Italian, Francesko Matani, përfaqësues të Bankës Bujqësore "Mantovani", drejtori i saj Mangoni, si dhe përfaqësues të provincës së Bolonjës dhe bashkisë së Mantovës. Gjithashtu të pranishëm ishin dhe artistë shqiptarë dhe italianë, artdashës, miq dhe të ftuar.

Duke marrë fjalën, Berisha u shpreh se hapja në Galerinë e Arteve të ekspozitës së korifejve të mëdhenj të kulturës italiane dhe botërore përbën një ngjarje të madhe, në jetën kulturore të kryeqytetit dhe të vendit tonë në tërësi, si dhe një ngjarje kulmore, në artet pamore mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.

Duke i cilësuar marrëdhëniet kulturore, si marrëdhëniet më elitare mes kombeve, kryeministri theksoi se asgjë nuk shpreh më mirë identitetin e një kombi se sa kultura e tij.

Në këtë kontekst, kryeministri falënderoi dhe shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë organizatorëve për iniciativën e tyre dhe shndërrimin në realitet, të kësaj ngjarje të madhe, e cila afron dhe më shumë dy kombet dhe kulturat tona.

"Sot në galeri janë midis nesh personalitet më të mëdha të pikturës italiane, si Francesco Raibolini, Guido Reni, Baltieri, sikundër përfaqësues të një plejade të madhe të piktorëve të shekullit që shkoi, Morandi, Rene Magritte, Pablo Pikaso, Joan Miro e shumë të tjerë." Dua tu falenderoj shumë për këtë iniciativë të shkëlqyer kulturore, e cila afron dhe më shumë dy kombet dhe kulturat tona."

Kryeministri shprehu kënaqësinë që në këtë ekspozitë ka copëza edhe nga Shqipëria, e cila u shpreh kryeministri, gjithmonë ka frymëzuar artistë të famshëm botërorë, që i kanë bërë asaj vend, në veprat e tyre.

"Një gjë dua të theksoj, për ata që kanë vizituar Shqipërinë kanë gjetur frymëzim të madh, janë mbi 200 veprat që Eduard Lir do të bënte gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri. Janë 2 piktura te famshme te De la Krua me frymëzim shqiptar. Në krijimtaritë e tyre, këta piktorë të mëdhenj kanë patur admirues të mëdhenj shqiptar, ndoshta i fundit i kubistëve të mëdhenj, Ibrahim kodra shkëlqeu me talentin e tij, në vendin tuaj."

Ndërsa ambasadori Italian, Saba D'elia u shpreh se hapja e këtyre dy ekspozitave të mrekullueshme përbën një nga momentet më kulmore, të të gjithë veprimtarive që po zhvillohen në kuadër të stinës së eventeve "Itali- Shqipëri, dy popuj, një det, një miqësi".

Më pas, Berisha vizitoi pavijonet me veprat e ekspozuara "Shkëlqime klasike", në të cilën shfaqen vende, epoka dhe stile të ndryshme, ku ndër më kryesoret janë "Profeti" i Giovan Francesco Barbiero, "Madalena " nga Guido Reni, "Alegoria e Muzikës" e Bernardo Strozzi, etj, si dhe pjesën e ekspozitës " Atmosfera të viteve 900" me vepra të shekulit të 20 të autorëve Joan Miro, Lucio Fontana, Giorgio Morandi, etj.

e.r/NOA

KOMENTE