English

PS në protestë: TVSH, Ministria e propagandës së qeverisë

Lajmi ritransmetohet i plotë dhe me foto

Tiranë, 21 prill, NOA - "TVSH, jo instrument në duart e Berishës, por duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve", ka qenë motoja e protestës së zhvilluar sot pasdite përpara Radio Televizionit Publik Shqiptar. Protestuesit kanë akuzuar qeverinë se po e përdor këtë stacion publik për agjitacion dhe propagandë, duke e vënë vetëm në shërbim të interesave të saj.

Të pranishëm në këtë protestë kanë qenë edhe deputetët e PS Ledi Shamku, Eduard Shalsi dhe Besnik Baraj, të cilët kanë theksuar se "TVSH quhet publik, por në fakt nuk është publik, pasi ai është privat sepse i shërben vetëm qeverisë".

"Unë nuk besoj se shqiptarët mund ta shtrojnë për darkë entuziazmin e Sali Berishës, në tryezat gjithmonë e më të varfra", tha deputetja Ledi Shamku gjatë protestës.

Për këtë arsye e të tjera si këto, - veçoi Shamku, jemi bashkë në shesh në datë 30, për të ndalur këtë zë të përçudnuar të kësaj godine këtu mbrapa, e të tjera si kjo. Këtu Shamku akuzoi se Sali Berisha shpall vendin, shpall Shqipërinë e shqiptarët si vendin me taksat më të ulëta në botë, ndërkohë që dhe ajrin po na takson, njësoj si tolloni i kohës që frymëzon atë. "Për këtë arsye e për shumë të tjera si këto, jemi bashkë në shesh datë 30 për ti thënë ndal këtij përçudnimi të fjalës së lirë, e të kësaj lirie që ai zapton përditë me centimetra, e që nuk kemi në planë t'ia lëmë peng", - tha më pas Shamku.

Kurse bëri thirrje që "për të mos e lënë Sali Berishën ta kthejë shtypin e përditshëm sikundër ëndërron ai, në shtypjen e përditshme dhe për mos e lënë demokracinë peng në duart e këtij tirani me të vetmin model frymëzues diktatorin. Jemi të gjithë bashkë për këtë godinën tonë, që ka fjalën tonë të lirë, e për gjitha godinat e tjera që janë peng sot i tij, jemi të gjithë bashkë më datë 30 prill në shesh".

Ndërsa deputeti Besnik Baraj do të pohonte se "të gjithë paguajmë për këtë televizion por ai i shërben vetëm një njeriu".

Baraj konsideroi se TVSH quhet publik, por në fakt nuk është publik dhe shtoi: "Ai është privat, është privat sepse i shërben vetëm Sali Berishës. Por ndërkaq ky televizion mbahet nga taksat e të gjithë shqiptarëve, pa dallim ngjyre politike. Të gjithë paguajmë për këtë televizion por ai i shërben vetëm një njeriu. Ky televizion quhet " Televizioni Sali Berisha". Për fat të keq, ai vazhdon atë histori të para viteve 90' ku i shërben vetëm një njeriu".

Në këtë pikë, deputeti Besnik Baraj tha se "ftojmë televizionin shqiptar të shikoj këtë realitet. Realitetin e jetës ekonomike, realitetin e zhvillimit të turizmit në Shqipëri, të zhvillimit të ekologjisë në Shqipëri nga pikëpamja e ruajtjes së mjedisit. Ndaj dhe ne i themi STOP këtij televizioni! Mjaftë më t'i shërbejë këtij njeriu i cili vazhdimisht ka gjeneruar kriza dhe ka sjellë katastrofa për këtë vend".

n.e/NOA

KOMENTE