English

Renzo Davidi: BE i shqetësuar për korrupsionin e krimin në Kosovë

Prishtinë, 21 prill, NOA - Shefi i zyrës ndërlidhëse të KE në Prishtinë, Renzo Davidi tha se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për përmasat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Në një intervistë për BBC-në, ai tha se qeveria kishte ndërmarrë disa hapa për luftimin e këtyre dukurive, por u kërkoi autoriteteve vendore që të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

Davidi tha se Kosova dhe Serbia duhet t'i zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe para se të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.

Zyrtari evropian shprehu besimin se mosnjohja e pavarësisë nga pesë shtete anëtare të BE-së nuk do ta rrezikojë perspektivën evropiane të Kosovës.

Z.Daviddi, qeveria e Kosovës ka dorëzuar para pak ditësh pyetësorin për marrëveshje tregtare me BE-në. A paraqet kjo një hap përpara drejt marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës?

Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm, është përgjigjja e parë që qeveria e Kosovës e ka dhënë për çështje tregtare. Kolegët në Bruksel dhe ata këtu po analizojnë ato përgjigje. Ne shpresojmë që së shpejti të vijë një mision për të pasur më shumë dialog politik për këtë pyetësor. Në fakt misioni ishte caktuar për javën e ardhshme por për shkak të problemeve me trafikun ajror në Evropë, ai u anulua. Kjo pra është vetëm çështje teknike dhe unë pres që misioni të vijë shumë shpejt këtu.

Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Qeveria ka miratuar udhërrëfyesin e saj dhe Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se BE-ja mund të liberalizojë vizat me Kosovën në vitin 2011 apo 2012. Mendoni se kjo kornizë kohore është reale?

Mendoj se është shumë e rëndësishme të jepen data dhe të krijohen momente në një sektor ku është e rëndësishme të miratohet legjislacioni dhe të ndërmerren disa veprime. Data mund të jetë apo të mos jetë reale, kjo varet nga kapaciteti i autoriteteve të Kosovës për t'u marrë me një numër çështjesh. Në fakt nuk është krejtësisht korrekte të thuhet se Kosova nuk është pjesë e procesit për liberalizimin e vizave. Siç e dini në konkluzionet e studimit për Kosovën që u mbështetën edhe nga Këshilli, është një dispozitë e qartë për të filluar këtë proces dhe kjo është diçka për të cilën ne tashmë kemi filluar punën. Kolegët kanë qenë këtu në mision dhe unë mendoj se ky proces po zhvillohet.

Por dialogu politik nuk ka filluar ende?

Ne nuk e kemi ende atë që ju i referoheni si udhërrëfyes. Ne ende jemi në fazën e përcaktimit të kohës për këtë udhërrëfyes dhe këtë po e diskutojmë me autoritetet.

A jeni të kënaqur me atë që ka bërë Kosova në këtë drejtim nga aspekti teknik?

Ka disa aspekte që janë të rëndësishme dhe sigurisht pozitive sa i përket miratimit të legjislacionit në pjesë të ndryshme të tij. Është bërë punë në kontrollin e dokumenteve dhe cilësinë e tyre, por mendoj se ende ka shumë punë që duhet bërë para se të merret parasysh mundësia e heqjes së regjimit të vizave.

Z.Daviddi, raporti i progresit i vitit të kaluar ka ngritur shqetësime sa i përket punës së institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. A po merren parasysh këto shqetësime nga ana e qeverisë?

Mendoj se ato janë marrë parasysh dhe në të vërtetë ka pasur disa reagime, duke filluar nga momenti i publikimit të raportit të progresit. Mendoj se ende ka mjaft punë për t'u bërë për të adresuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ka pasur disa njoftime në media se raporti i progresit këtë vit mund të jetë më kritik se ai paraprak?

Të jem i sinqertë, unë nuk e kuptoj se si dikush mund të spekulojë në këtë fazë për përmbajtjen e raportit, i cili ende nuk është shkruar. Siç e dini ne e kemi traditë hartimin e raporteve për shumë vende tash e disa kohë, përpiqemi të jemi të saktë dhe objektiv, marrim parasysh një shumëllojshmëri të burimeve, përpiqemi t'i verifikojmë ato sa më shumë që mundemi. Mendoj se në vjeshtë do të mund të dimë a do të jetë raporti më shumë apo më pak kritik se sa në vitet paraprake, por unë dua të besoj se ai do të jetë po aq i saktë sa edhe ai i vitit të kaluar.

Por shqetësimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar mbesin edhe më tutje apo jo?

Natyrisht që shqetësimet mbesin. Ne kemi identifikuar një numër fushash në të cilat presim që autoritetet të ndërmarrin masa dhe madje jemi munduar t'u ndihmojmë atyre duke u ofruar asistencë teknike dhe këshilla. Shembull për këtë është prokurimi publik. Të shohim se çfarë veprimesh do ndërmerren.

A po ndërmerren ato?

Ka punë që po bëhet për rishikimin e legjislacionit dhe institucionit që rregullon prokurimin publik. Unë nuk jam ende në gjendje që të nxjerrë përfundime për këtë raport, por mund të them se ka pasur disa përpjekje nga ana e institucioneve të Kosovës.

Z.Daviddi, së voni është hapur ‘shtëpia e BE-së' në veri të Mitrovicës. Komisioni Evropian është pjesë e saj. A mendoni se prania juaj atje do të zvogëlojë tensionet ndërmjet komuniteteve dhe do të ndihmojë në pajtimin ndëretnik?

Në fakt ky është qëllimi i përpjekjes sonë. Siç e dini Komisioni Evropian ka qenë prezent në Kosovë që nga viti 1999 dhe prania jonë ka qenë në veri, jug, lindje e perëndim. Ne kemi alokuar mjete, kemi financuar projekte dhe kemi udhëhequr dialogun në tërë territorin e Kosovës. Mendoj se në këtë aspekt, prijmë me aktivitete të cilat gjithashtu përfshijnë Veriun.

Dhe çfarë synoni konkretisht që të bëni në Veri?

Mendoj se sa i përket pranisë sonë atje, ne jemi të përqendruar në identifikimin e projekteve që kanë për qëllim përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve dhe nga të cilat mund të përfitojnë të gjithë qytetarët. Në të njëjtën kohë ne duam të ngrejmë vetëdijen e qytetarëve për Bashkimin Evropian. Në këtë aspekt ne po punojmë në hapjen e një qendre informative në të cilën do të ketë mundësi për qasje në disa dokumente që kanë të bëjnë me BE-në.

Z.Davidi, Bashkimi Evropian e ka konfirmuar disa herë se të gjitha vendet e Ballkanit kanë perspektivë evropiane, por si mund të lëvizin përpara në këtë rrugë Serbia dhe Kosova nëse ato nuk normalizojnë marrëdhëniet mes tyre?

Kjo është një pyetje shumë interesante dhe komplekse për t'u përgjigjur. Mendoj se është një proces, i cili po përcaktohet tani. Është e qartë se përvojat e zgjerimit në të kaluarën dhe bisedimet për anëtarësimin e Kroacisë kanë treguar se këto çështje dypalëshe më mirë zgjidhen para se vendet t'i bashkohen Bashkimit Evropian se sa më pas. Në këtë aspekt, është mendimi im personal se ky problem duhet të zgjidhet para anëtarësimit. Në çfarë mënyrë do të zgjidhen është vështirë të thuhet, por mendoj se do të ketë një formë të dialogut politik që duhet të ofrojë një zgjidhje. Mënyra më e lehtë për të filluar sipas mendimit tim është duke i marrë parasysh çështjet praktike me interes të përbashkët, për të cilat njerëzit mund të ulen dhe të bisedojnë, si për shembull furnizimin me ujë në Mitrovicë, privatizimin apo zhvillimin e turizmit në Brezovicë, çështje që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Mendoj se ka shumë fusha në të cilat gjërat mund të përparojnë në mënyrë shumë praktike dhe më pas të shikohet se si mund të zhvillohet dialogu politik.

Dhe së fundi, Daviddi, Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtete anëtare të BE-së. A e rrezikon kjo procesin e integrimit evropian të Kosovës?

Unë i shikoj faktet dhe faktet janë që konkluzionet e Këshillit mbështetën vendosjen e pranisë evropiane, EULEX-it, përfaqësuesit të posaçëm të BE-së etj. Këto janë rezultat i unanimitetit të 27 vendeve anëtare. Në këtë aspekt ka tregues të rëndësishëm se Bashkimi Evropian është i bashkuar në faktin se Kosova duhet të përparojë në perspektivën evropiane. Sa i përket marrëdhënieve kontraktuale ne do të shohim çfarë do të ndodhë, por unë besoj se disa çështje do të realizohen në momentin e duhur. Në pak vitet e ardhshme ne mund të kemi një situatë tjetër.

BBC

KOMENTE