English

Veton Surroi: Kosova shtet jofunksional, por jo i dështuar

Prishtinë, 21 prill, NOA - Publicisti dhe politikani i njohur i Kosovës, Veton Surroi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se viti 2010 do të jetë periudhë e shtimit të trysnisë për fillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nuk do të kenë të bëjnë me statusin politik, por me çështje që mund të kenë ndikim apo të hapura siç është çështja e Veriut.

Surroi thotë se strategjia e paralajmëruar për integrimin e veriut të Kosovës është lajm i mirë, por nuk pret ndryshim rrënjësor në atë pjesë të vendit, që sipas tij është peng i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Z.Surroi, Kosova ka hyrë në vitin e tretë të pavarësisë së saj. Nëse u hidhni një vështrim zhvillimeve në Kosovë gjatë këtyre viteve, cili do të ishte vlerësimi juaj?

Vlerësimi është se tranzicioni në pavarësi ka qenë i pa dhunshëm, fatmirësisht dhe kjo është përafërsisht e tëra që vlen në këtë tranzicion. Të gjitha të tjerat kanë vlerësime ose "nule" ose negative, që kanë të bëjnë me kapacitetin qeverisës, me sovranitetin, ushtrimin e sovranitetit, me përpjekjen për subjektivitet ndërkombëtare, më zhvillimin ekonomik, me tejkalimin e problemeve strukturore në zhvillimin ekonomik, d.m.th. të gjitha këto kanë mangësi, diku më të mëdha, diku me të vogla, por gjithsesi të dukshme.

Kosova është njohur tashmë nga 65 vende të botës. Ajo është bërë pjesë e mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar. A nuk janë rezultatet këto, nuk janë të arritura?

Janë të arritura, padyshim që janë pjesë e një pakoje përkrahëse për Kosovën. Shtetet të cilat e kanë sponsorizuar, e kanë ndihmuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, përgatitë atë shpallje dhe procesin, e kanë përgatitë edhe këtë pako. Kështu që, pjesë e njëjtë e pakos është edhe angazhimi i këtyre shteteve për inkuadrim në Bankën Botërore, në Fondin Monetar, për të cilat, natyrisht duhet t'u falënderohemi si Kosovë. Unë po flas për mangësitë e brendshme të vendit.

Dhe ku shfaqen më së shumti këto mangësi?

Po këto mangësi shfaqen gjithkund, në të gjitha format e jetës. Mjafton të përqendrohemi në ato që janë çështje kyçe, të incizuara në raportin e progresit të Bashkimit Evropian dhe ato përshkruajnë një shtet i cili nuk është funksional, i cili në masë të madhe është i dëmtuar nga ndërhyrjet jodemokratike qoftë në distribuimin e parasë publike, shpenzimin e parasë publike nëpërmjet korrupsionit, qoftë në ndërhyrjet politike në gjyqësorë apo në media apo në fusha të tjera, të cilat nuk do të toleroheshin në një shtet demokratik.

A po rrezikon Kosova të rrëshqasë drejt asaj që quhet "shtet i dështuar" atëherë?

Kosova është në këtë moment shtet jofunksional dhe nuk është shtet jofunksional vetëm për shkak të kosovarëve, por është shtet jofunksional edhe për shkak të bashkësisë ndërkombëtare e cila nuk e ka definuar shumë mirë rolin e vet këtu. Ekziston një shkallë dallimi mes jo funksionalitetit, ose jo funksionalitetit të plotë, që do të ishte rasti i Kosovës dhe dështimit. Nuk jemi shtet i dështuar, por mund të jemi shtet i dështuar nëse nuk ka lëvizje të cilat do ta vinin në funksionalitet shtetin, raportet e shëndosha demokratike, raportet e kontrollit të parlamentit mbi qeverinë, të qytetarëve mbi parlamentin, d.m.th raportet bazike të një shteti demokratik, funksional.

Zoti Surroi, një prej sfidave më të mëdha të Kosovës, që nuk është e re, është sfidë gati 11-vjeçare dhe që e pengon atë që ju e quani funksionalizim të shtetit është edhe gjendja në veriun e Kosovës. Edhe autoritetet ndërkombëtare edhe ato vendase e kanë paralajmëruar një strategji për integrimin e veriut. A mund të zbatohet ajo?

Ajo ende nuk është strategji, është paralajmërim dhe këtë duhet përshëndetur, sepse është një kthesë krahasuar me vitet e mëparshme kur tolerohej kjo gjendje dhe ku në masë të madhe, bashkësia ndërkombëtare u thoshte kosovarëve, mos u mërzitni për këtë punë se ne do e zgjidhim, ndërsa nga kosovarët, në cilindo pushtet, nuk ka pasur interes për të zgjidhur këtë çështje. Nuk besoj që do të kemi ndonjë lëvizje e cila do ta kthej gjendjen radikalisht kah pozitivja brenda këtij viti dhe mendoj se korniza për të cilën do menduar janë disa vite. Natyrisht e tëra kjo nuk bënë pa ndërlidhje të të gjitha faktorëve. Në këtë rast duhet faktori ushtarak, NATO-ja, faktori politik evropian. Këto të dyja mungojnë. Dhe së treti, do thënë se veriu është peng i marrëdhënieve të pa spastruara, ose të pa ndërtuara mes Prishtinës dhe Beogradit, marrëdhënieve të dy shteteve të cilat ia njohin subjektivitetin njëra tjetrës.

Dhe a ka ndonjë rrugë që këto marrëdhënie një ditë të shtendosen dhe të krijojnë mundësi për zgjidhjen e problemeve siç është Veriu?

Këto marrëdhënie do të shtendosen. Problemi është kur dhe në çfarë mënyre. Ne jemi sot në një fazë, ose sivjet do të jemi në një fazë ku do të ushtrohet një lloj trysnie edhe ndaj Prishtinës edhe ndaj Beogradit që të fillojnë negociatat. Disa do të thonë se janë bisedime teknike, praktike etj. por janë negociata. Dhe këto negociata do të zhvillohen brenda një konteksti të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pas këtij mendimi do të fillojë një lloj fushate politike e diplomatike. Ajo tashmë ka filluar nga Beogradi, që nga njëra anë të krijojë një masë të madhe shtetesh, të painkuadruara posaçërisht, që do ta trajtojnë çështjen e statusit ende të pazbërthyer, të pa rrumbullakësuar, ndërsa do të ketë një trysni, posaçërisht brenda shteteve të Bashkimit Evropian, që bisedimet të jenë pjesë e një pakos së normalizimit që do të jetë parakusht për Beogradin për të shpejtuar procesin e vet integrues në Bashkimin Evropian. Që të dyja këto kanë kapacitet, ose kanë potencial rrezikshmërie për Kosovën, sepse Kosova do të duhej të ishte atëherë ajo palë e cila do të duhej të gjente një lloj kompromisi në mënyrë që t'i ndihmojë Serbisë që të shpejtojë procesin e vet integrues.

Çështja e këtyre bisedimeve tashmë duket e pashmangshme, e thënë edhe nga goja e diplomatëve që vizitojnë Kosovën. Kritiket thonë se ato mund të rrëshqasin drejt një rihapjeje, në njëfarë mënyre, të çështjes së statusit të Kosovës. Ju keni qenë negociator i këtij statusi. A është e mundur një gjë e tillë?

Jo, statusi i Kosovës është i përmbyllur. Problemi nuk është a do të problematizohet pavarësia. Problemi është se do të problematizohet funksionaliteti i pavarësisë. Dhe meqenëse po problematizohet funksionaliteti i pavarësisë, atëherë mund të problematizohen edhe disa aspekte të sovranitetit të Kosovës. Kjo është një çështje që duhet adresuar tamam me emrin e vet dhe kontekstin e vet real.

Kur po flasim për këtë, a po kthehemi sërish në veri?

Është veriu, padyshim. Mund të jenë edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me kapacitetin ndërhyrës të Serbisë në punë të brendshme të Kosovës, por në masë të madhe ka të bëjë me veriun

A do të thotë se veriu edhe më tej është një çështje për të cilën mundësitë janë të hapura., qoftë "konflikti i ngrirë" apo edhe ndarja si një mundësi?

Janë të dyja të hapura. Për fat të keq nuk ka ekzistuar një vëmendje jo vetëm në bashkësinë ndërkombëtare, por në radhë të parë në Kosovë ndaj këtij problemi dhe ky problem dhe ky problem ka mbetur i këtillë si konflikt i ngrirë prej kohësh, me potencialin e vet shkatërrues.

Të gjithë diplomatët që vijnë në Kosovë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, thonë se Kosova ka ardhmëri evropiane. A ka vërtetë zoti Surroi?

Natyrisht që ka ardhmëri, se po t'i pyesni ata ta konkretizojnë këtë ardhmëri, atëherë e kanë pak vështirë. Ardhmëri mund të jetë edhe pesë vjet, mund të jetë edhe dhjetë vjet, ardhmëri mund të jenë edhe 100 vjet. Për Kosovën është me rëndësi që kjo ardhmëri të kondensohet në periudhën e ardhshme 10 vjeçare kur pritet që Ballkani perëndimor të hyjë në Bashkimin Evropian. Nëse Kosova sivjet, posaçërisht sivjet dhe vitin ardhshëm ngecë, siç është fare e lehtë e mundur, atëherë mund të krijohet një tablo e re "qiproizimi" në Bashkimin Evropian. Do të thotë, një tablo e re në të cilën Serbia është shumë më e avancuar, futet në Bashkimin Evropian me disa kushtëzime të cilat janë të përgjithësuara, por që realisht atëherë pengojnë Kosovën në rrugëtimin e vet Evropian. Dhe ky është një rrezik real, potencial për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kur flasim për këtë rrezik, njerëzit mendojnë në abstraksion, se çka do të thotë pjesëmarrja në Bashkimin Evropian. Por, nëse njeriu e matë vetëm me punë eurosh, atëherë, gjendja jonë e tillë çfarë është, pa status kandidati, pa kapacitet kontraktual me Bashkimin Evropian, pa një perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE, do të thotë humbje të qindra milionave, unë do të thosha edhe miliarda eurosh në fonde strukturore, në fonde të cilat BE i lëvron për ato shtete të cilat përgatiten për anëtarësim në BE. Në gjendjen çfarë është, Kosova e ka një status të njëjtë që e kanë shtete që kanë kaluar nëpër katastrofe elementare dhe u jepet një lloj ndihme për t'i përballuar ato.

Po rrugëdalja?

Rrugëdalja duhet të jetë padyshim ndryshimi rrënjësorë në veprimin politik në Kosovë. Shoqëria kosovare si tërësi ka nevojë të përcaktojë një objektiv të qartë. Ai objektiv duhet të jetë që Kosova të jetë vend anëtar i BE-së në vitin 2020. Kur përcaktohet qartë objektivi, atëherë shoqëria duhet të mobilizohet drejt tij, ndërsa qytetarët të masin veprimin e partive të veta politike në bazë të këtij caku, jo në bazë të abstraksioneve, sepse nëse shikoni në dhjetë vitet e fundit, përgjigja elementare që ka ardhur edhe nga bashkësia ndërkombëtare edhe nga një pjesë bukur e madhe e elitave kosovare, është se ne po ndërtojmë shtet, në po ndërtojmë kapacitete qeverisëse, ne po bëjmë ndërtime të kapaciteteve të tjera. Këto janë përgjigje abstrakte të cilat mund të bëhen edhe gjatë 100 viteve të ardhshme, sepse shteti gjithmonë ndërtohet, kapacitetet qeverisëse gjithmonë ndërtohen, gjithmonë ka diçka për të bërë sepse shtëpia kurrë nuk përfundon dhe shtëpia e përfunduar gjithmonë ka nevojë për mirëmbajtje. Por në këtë rast duhet përcaktuar qartë objektivin dhe kutin matës të veprimit politik e shoqërorë. Pa e përcaktuar këtë objektiv, e kjo është e një kategorie të njëjtë, në vitet e 90-ta po të mos e kishim përcaktuar objektiv pavarësinë e Kosovës, nuk do të kishim mbërri në pavarësi të Kosovës. Po të kishim thënë vetëm duhet zgjidhur çështja e statusit, do të mbetej çështja e statusit pezull. Atëherë kur thamë që Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, duhet të jetë demokratik, të jetë pjesë e botës perëndimore, mbërritëm në këtë cak me një ndihmë shumë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe tash duhet të përcaktojmë se caku ynë historik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian në vitin 2020. Na nevojitet ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për këtë, por na nevojitet fillimisht që subjektet tona politika, shoqëria jonë, elita intelektuale etj. të përcaktojnë se ky është objektivi ynë. Nëse nuk e përcaktojmë se ky është objektivi ynë, atëherë në mënyrë të vetëdijshme heqim dorë nga ky objektiv dhe themi se Kosova nuk do të jetë shtet anëtar i BE-së, mbetet jashtë Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia hyn në BE.

E përmendët disa herë vitin 2020. Ishte vetëm shembull apo Kosova nuk ka shpresë para këtij viti të ... ?

Edhe ky vit është tepër ambicioz. Kosova nuk ka kapacitet sot për te qenë vend anëtar në Bashkimin Evropian në vitin 2020. I nevojitet të punojë trefish më shumë sesa shtetet tjera të rajonit. Do të thotë edhe me fatin më të madh, do të jetë vështirë të jemi, por duhet vendosur një afat të këtillë ambicioz në mënyrë që të ecim përpara. Bashkimi Evropian, rajoni në tërësi, nuk do ta pres Kosovën që të ngrihet në këmbë. Nëse Kosova nuk ngrihet në këmbë e të përgatitet për BE, rajoni do të hyjë në BE, Kosova do të mbetet jashtë.

Të mbetet si "vrimë e zezë"? A rrezikon ....?

Rrezikon, Mund të mbetet si një protektorat i tillë sepse për burokracitë evropiane një gjendje e tillë mund të vazhdojë me vite të tëra. Bosnja është shembull eklatant. Në Bosnjë 15 vjet vazhdon protektorati ndërkombëtarë. Mund të vazhdojë edhe 150 vjet të tjera e të mos çaj kokën kush.

VOA

KOMENTE